Please enter at least 3 characters.

Dyshime për manipulim të votave, Prokuroria e Gjakovës pasdite shpalos detajet e aksionit në Malishevë

E plotësuar: Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot një konferencë për media lidhur me aksionin për dyshimet e falsifikimit të rezultateve zgjedhore gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Kosovës, në Komunën e Malishevës.

Kryeprokurori Enis Gashi do të drejtojë konferencën, e cila mbahet në objektin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë në ora 15:00.

Detaje tjera nuk janë bërë të ditura./Telegrafi/

Aksion në Malishevë për dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore

Prokuroria Themelore e Gjakovës në bashkëpunim me policinë është duke zhvilluar një aksion në Malishevë lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore të 28 dhjetorit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie Drin Domi.

“Aksioni është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjakovë mbi dyshimet për falsifikimin e rezultateve zgjedhore gjatë numërimit brenda subjekteve politike, për deputetë në komunën e Malishevës”, ka thënë Domi.

Ai ka shtuar se për detaje tjera do të njoftohemi pas përfundimit të këtij aksioni.

Kujtojmë se të premten e kaluar Prokuroria Themelore e Prizrenit realizoi aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore, që përfundoi me 109 të arrestuar.

Ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Vendimi për rinumërim, fillimisht KQZ e mori pasi janë shikuar videot nga kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë ngritur dyshime se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë shënuar në mënyrë të saktë në platformën zyrtare të KQZ-së/Telegrafi/