Please enter at least 3 characters.

AKK i reagon Muratit për buxhetin e komunave: Padrejtësi në ndarjet buxhetore

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i ka reaguar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me deklaratën e tij për rritjen e buxhetit të komunave në rreth 907 milionë euro për vitin 2027.

Murati, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se buxheti i ndarë për komunat do të arrijë në 907 milionë euro në vitin e ardhshëm, duke e krahasuar atë me 546 milionë euro sa ishte në vitin 2021.

“Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave”, ka shkruar Murati.



Në një intervistë për Telegrafin, Ibrahimi ka thënë se shuma prej rreth 907 milionë eurosh përcaktohet në bazë të formulave të parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa shqetësimin kryesor e ka lidhur me ndarjet që bëhen nga ministritë e linjës.

“Ky buxhet i cili është rreth 907 milionë euro i dedikuar për komuna është në bazë të formulave të paraqitura në legjislacionin në fuqi, mirëpo hilja më e madhe bëhet nga ministritë e linjës”, tha drejtori i AKK-së.

Sipas Ibrahimit, një pjesë e kryetarëve të komunave kanë ngritur ndër vite shqetësime për mënyrën e ndarjes së mjeteve nga ministritë e linjës, duke pretenduar se komunat e udhëhequra nga kryetarë të Lëvizjes Vetëvendosje përfitojnë më shumë mjete për kokë banori.

“Shumica absolute e kryetarëve ndër vite kanë theksuar që ka një lloj padrejtësie në ndarjet buxhetore nga Ministritë e Lidhjes te Komunat e Republikës së Kosovës, ku si mbas kryetarëve, shumicës së tyre theksohet që komunat të cilat udhëhiqen nga kryetarët të cilët vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje marrin më shumë mjete financiare për kokë banori, në raport me komunat të cilat nuk udhëhiqen nga kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe këto janë fakte, këto janë argumente të cilat mund t'i gjesh në Ligjin për ndarjet buxhetore, vetëm hyn aty dhe i sheh Investimet kapitale nga ministritë e linjës, në cilat komuna edhe vërehet një diskrepancë shumë e madhe, për shembull edhe këtë vit katër komunat që më së shumti përfitojnë nga ndarjet buxhetore nga ministritë e linjës, domethënë jo nga grantet, sepse aty janë me formula, nuk mundet t'i ndërrojë pa u ndërrua legjislacioni, pasi nga takimet e përbashkëta, kryetarët e komunave thonë se kjo është shumë e padrejtë”, potencoi ai.

Ibrahimi ka thënë se AKK-ja e ka ngritur këtë çështje në takimet me kryetarët e komunave dhe se që nga viti 2022 ka kërkuar krijimin e një granti të veçantë për investime kapitale.

“Shumica e kryetarëve në takimet tona që i kemi përbashkët e kanë ngritë këtë shqetësim dhe për këtë arsye ne nga viti 2022 kemi kërkuar themelimin e grantit të katërt për investime kapitale”, shton Ibrahimi.

Sipas tij, një grant i tillë do të mundësonte që mjetet për investime kapitale të ndaheshin në bazë të kritereve të përcaktuara, ngjashëm me mënyrën e ndarjes së Grantit të Përgjithshëm.

“Nëse themelohet granti katër për investime kapitale, atëherë të gjitha këto, për shembull, për këtë vit, për projektet në vazhdimësi dhe projektet e reja kanë qenë mbi 200 milionë euro, domethënë ato do të shkonin në një thesë të përbashkët dhe me kritere, ashtu siç i ka granti i përgjithshëm për numrin e popullatës dhe sipërfaqen e komunës, do t'i ndaheshin në mënyrë të drejtë gjitha komunave”, deklaron tutje drejtori i Asociacionit për Telegrafin.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së ka thënë gjithashtu se në ndarjen e mjeteve nga ministritë e linjës ka raste kur dallimet lidhen me përkatësinë politike dhe etnike të komunave.

"Nuk duhet ketë diferencë politike dhe etnike - në disa raste ku komunat e një partie politike përfitojnë shumë më shumë për kokë banori sesa komunat apo kryetarët të cilët vijnë nga partitë që nuk i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje”, përfundoi Ibrahimi.

Murati, në postimin e tij, nuk ka komentuar ndarjet e mjeteve nga ministritë e linjës, por ka theksuar rritjen e buxhetit të përgjithshëm të komunave, nga 546 milionë euro në vitin 2021 në 907 milionë euro të planifikuara për vitin 2027. /Telegrafi/

true