Please enter at least 3 characters.

Ahmeti: Të quash Kurtin “Don Kishot”, për të nuk është kritikë por kompliment

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar deklaratën e sotme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili e quajti Albin Kurtin si Don Kishot.

“Qeverisja e Kurtit ka shumë gjëra për t’u kritikuar, por ta quash Don Kishot nuk jam i sigurtë se është kritikë,” ka shkruar Ahmeti në një postim në rrjetet sociale.

Ai ka sqaruar se Don Kishoti i Cervantes është një idealist i çmendur, dhe mesazhi kryesor i librit është se vetëm një njeri i tillë ka guximin të luftojë për ta bërë botën një vend më të mirë.

Ahmeti tha se ta quash Kurtin, Don Kishot mund të shihet si kritikë vetëm nëse e sheh botën nga një këndvështrim cinik, ku rendi i gjërave është i pandryshueshëm.

“Në fjalët e Cervantes, kur njeriu humb idealin, vdes shpirtërisht. Jam i sigurt se Kurti nofkën Don Kishot e sheh si kompliment,” shtoi Ahmeti.

Ky reagim i Ahmetit vjen pas komenteve të Abdixhikut, i cili gjatë fjalimit sot në Kuvend iu referua Kurtit si Don Kishot.

“Fatkeqësisht, shteti ynë ka kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh vetëm një njeri – Albin Kurti. Sikurse Don Kishoti i Cervantesit, edhe Albin Kurti zgjohet çdo ditë në një botë që e ka krijuar vetë dhe aty sheh vetëm kundërshtar dhe në atë botë Albin Kurti i Vetëvendosjes sheh dhe krijon vetëm kundërshtar, kundërshtar që duan ta kthejnë Serbinë në Kosovë ju gjeneral Hadërgjonaj, ti Ramush, ti Fatmir, ju gra dhe burra që keni luftuar. Kundërshtar që duan ta bllokojnë Kosovën, vendin tonë, vendin ku për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijët tanë këtu Albin, pasurinë më të madhe që e kemi. Pra, ne duam ta bllokojmë vendin e fëmijëve tanë”, është shprehur Abdixhiku me ironi. /Telegrafi/