A do të paguhet hyrja në Prishtinë? Rama jep sqarimin - kërkon zhbllokim të fondeve të BERZH-it
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se vendosja e mundshme e tarifës për hyrje në kryeqytet mbetet vetëm ide për diskutim publik dhe jo vendim i marrë.
Në një reagim publik, Rama ka thënë se kjo nismë lidhet me nevojën për investime infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit.
“Të nderuar qytetarë të Kosovës, ditëve të fundit është diskutuar një propozim që ka nxitur debat publik: vendosja e tarifës së Unazës së Kryeqytetit për automjetet që nuk janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës dhe që hyjnë në kryeqytet. Para së gjithash, dua të jem shumë i qartë: kjo është një ide për diskutim publik dhe jo një vendim i marrë!”, ka deklaruar Rama.
Ai ka sqaruar se tarifa e propozuar do të ishte simbolike për veturat dhe më e lartë për kamionët.
“Është propozuar që tarifa të jetë 1 ose 2 euro për automjetet që nuk janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që hyjnë në qendër të Prishtinës”, ka thënë ai.
Sipas Ramës, arsyeja e këtij diskutimi është mungesa e financimeve për projektin e Unazës së Kryeqytetit.
“Arsyeja pse po e shqyrtojmë këtë mundësi është e thjeshtë: Prishtina ka nevojë urgjente për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se paketa financiare për projektin arrin rreth 206 milionë euro dhe përfshin edhe grante.
“Nga kjo shumë, deri në 40% ishin grant, pra para që nuk do të duhej të ktheheshin kurrë nga qytetarët”, ka theksuar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka deklaruar se zgjidhja do të ishte zhbllokimi i fondeve.
“Pra, nëse qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e Unazës së Qytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd”, është shprehur ai.
Rama ka shtuar se propozimi për tarifë është vetëm alternativë në rast se fondet nuk zhbllokohen dhe ka ftuar qytetarët dhe ekspertët të marrin pjesë në debat publik. /Telegrafi/


