Please enter at least 3 characters.

24 milionë euro borxhe dhe në prag të kolapsit – Ronaldinho kërkon të blejë klubin e basketbollit

Ish-ylli i futbollit brazilian, Ronaldinho, dhe fondi i tij i investimeve janë të interesuar të marrin në pronësi klubin e basketbollit të Monakos, i cili po përballet me vështirësi serioze financiare.

Informacioni është publikuar nga gazeta franceze L’Equipe dhe vjen në një kohë kur e ardhmja e klubit nga Principata është e pasigurt.

Monako po kalon një nga krizat më të rënda financiare në historinë e tij. Në qershor, borxhet e klubit vlerësoheshin në 24 milionë euro, ndërsa gjatë sezonit të kaluar ai ishte përballur me pasoja për shkak të mospagimit të agjentëve dhe bashkëpunëtorëve. Si rezultat, ndaj klubit u vendosën edhe sanksione sportive.

Situata kulmoi këtë verë, kur Monako u përjashtua nga të gjitha garat profesionale franceze për sezonin 2026/27, pasi nuk arriti të ofrojë garancitë e nevojshme financiare për të vijuar aktivitetin.

Në kërkim të kapitalit të ri për ta shpëtuar klubin, në skenë ka dalë edhe Ronaldinho. Sipas informacioneve të publikuara, fondi i tij i investimeve thuhet se i ka siguruar tashmë mjetet financiare për blerjen dhe ka marrëdhënie të mira me autoritetet në Monako.


Nëse operacioni realizohet, do të ishte një nga hyrjet më të pazakonta të një ish-ylli të madh të futbollit në botën e basketbollit. Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar dhe pritet që vendimi përfundimtar të merret së shpejti.

Ronaldinho nuk është i vetmi investitor potencial. Për klubin janë të interesuar edhe disa investitorë të tjerë, ndërsa koha në dispozicion është e kufizuar.

Konkretisht, procedura e marrjes në pronësi duhet të përfundojë para Komitetit Olimpik Francez (CNOSF) më së largu deri më 19 gusht.

Pavarësisht se vitet e fundit Monako është konsoliduar si një nga klubet më të forta të basketbollit në Francë dhe një pjesëmarrës i rregullt në Euroligë, problemet financiare jashtë parketit kanë krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e klubit./Telegrafi/