Please enter at least 3 characters.

17-vjeçari gjen para dhe dokumente në Ferizaj, i dorëzon në polici

Të dielën rreth orës 22:30, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari A. Nuha (17 vjeç), nga fshati Bablak i komunës së Ferizajt, i cili ka dorëzuar një shumë parash dhe dokumente identifikimi të gjetura në rrugë në një portofol, në fshatin Lloshkobare, afër pikës së karburantit “Ibrahimi Petrol”.

Sipas njoftimit për media thuhet se pas verifikimeve të kryera nga zyrtarët policorë, është identifikuar pronari i sendeve të humbura, K.S. (40 vjeç) nga Gjakova.

Tutje thuhet se në prani të zyrtarëve policorë, atij i janë kthyer paratë në vlerë prej 2,435 euro dhe 270 franga, si dhe dokumentet personale.

"Policia ka regjistruar një shënim zyrtar.Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj vlerëson lart veprimin e qytetarit A. Nuha, i cili me ndershmëri dhe përgjegjësi ka dorëzuar paratë dhe dokumentet e gjetura, duke dhënë një shembull të mirë të qytetarisë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/