Alarm i rremë në Spitalin e Prizrenit, “granata” mbi stacionin e oksigjenit rezulton lodër për fëmijë

Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit të enjten ka njoftuar se objekti i dyshuar i hasur të mërkurën pasdite mbi kulmin e stacionit të oksigjenit, pas verifikimeve ka rezultuar të jetë “lodër për fëmijë në formë granatë të dorës”.
“Dje, në orët e pasdites, ekipi kujdestar i mjekëve të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka vërejtur një objekt me pamje të ngjashme me granatë dore, i vendosur mbi kulmin e stacionit të oksigjenit, në hapësirat e spitalit. Për të garantuar sigurinë e stafit dhe pacientëve, menjëherë është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur në vendin e ngjarjes”.
“Pas vlerësimit fillestar, Policia ka thirrur njësitin e deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ka ndërhyrë në mënyrë profesionale. Pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se objekti në fjalë ishte një “lodër për fëmijë, në formë granatë të dorës” dhe nuk paraqiste asnjë rrezik për sigurinë publike”, thuhet në njoftimin e Spitalit, raporton Telegrafi.
Spitali i Prizrenit me këtë rast ka shprehur mirënjohje për Policinë e Kosovës dhe ekipin e FSK-së për reagimin e menjëhershëm dhe ndërhyrjen profesionale.
“Ftojmë qytetarët për qetësi dhe mirëkuptim, duke theksuar se situata është menaxhuar me kujdes dhe pa rrezik për stafin apo pacientët”, përfundon njoftimi i Spitalit. /Telegrafi/




















































