Site icon Telegrafi

AAK kritikon VV-në për bojkotimin e seancave

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një konference për media, ka kritikuar mazhorancën për bojkotimin e seancave të Kuvendit si dhe komisioneve parlamentare.

Deputeti Pal Lekaj, tha se bojkotimi i të gjitha kërkesave të opozitës është i paarsyeshëm.

“Qëndrimi i mazhorancës për të bojkotuar të gjitha kërkesat e opozitës është e paarsyeshme. Në praktikat parlamentare nuk ka ndodhur që shumica t’i bojkotojë seancat e komisionet. Po na marrin të vetme të drejtë që e kemi, pyetjet parlamentare”.

“AAK prej fillimit të kësaj legjislature ka mbështetur miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë prej 830 milionë EURO. Shuma e fondeve të bllokuara nga sanksionet ndaj kësaj qeverie janë, 350 milionë euro, afër 100 milionë euro më shumë se vlera e projekteve në marrëveshje ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Lekaj tha se Aleanca i ka mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet që janë në dobi të qytetarëve.

“AAK ka votuar një mori ligjesh prej opozite, vetëm se ka besuar që janë të mira për qytetarët e vendit. Është subjekti i vetëm opozitar që ka mbështetur Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit. Gjithçka çka akuzon sot VV, është gënjeshtër dhe tendencë me të vetmin qëllim për ta mbuluar dështimin e vet. Si AAK kërkojmë nga shumica që ta mbështet rezolutën tonë për koeficientin e pagës për zyrtarët publikë.”

“Prandaj ne jeni të shqetësuar dhe kërkojmë një zgjidhje dhe të dominojë qytetari dhe jo Lëvizja Vetëvendosje. Ne si AAK i kemi përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet që kanë shkuar në të mirë të qytetarëve”, tha ndër të tjerash Lekaj.

Lekaj është zotuar se Aleanca qëndron fort në kërkesat e qytetarëve dhe të organeve të sigurisë.

“Ne qëndrojmë fortë në kërkesat e qytetarëve dhe do të këmbëngulim. E patë me çfarë injorance që thirreshin në heroizëm, ata nuk e votuan rezolutën që kërkon përkrahje për Policinë e Kosovës”, përfundoi Lekaj. /Telegrafi/

Exit mobile version