Zvicër: Universitetet, kundër kontingjenteve për studentët e huaj

Studentët e huaj që vijnë për të studiuar në Zvicër duhet ta bëjnë këtë pa qenë të penguar nga politika e kontingjenteve.
Një kërkesë e tillë ka dalë nga drejtorët e shkollave të larta të Zvicrës në seancën e tyre plenare të mbajtur sot.
Ata theksojnë se studentët e huaj nuk vijnë në Zvicër për ndonjë veprimtari lukrative (fitimprurëse) dhe, me qëndrimin e tyre këtu për të studiuar, ata nuk ia zënë vendin askujt.
Veç kësaj, drejtorët kanë kërkuar që me rastin e caktimit të kontingjenteve, shkencëtarët të trajtohen me përparësi.
Por, në konceptin e Këshillit Federal të Zvicrës të bërë për jetësimin e iniciativës kundër migracionit masiv, nuk janë paraparë përjashtime të këtij lloji.
Koncepti në fjalë parasheh që kontingjentet vjetore të caktohen për të gjithë të huajt përnjëherë dhe pa dallime. /albinfo/



















































