Site icon Telegrafi

Zhvillohet aplikacioni që do të paralajmërojë drejtuesit e mjeteve për historinë e aksidenteve në rrugë

Aplikacioni Waze ka marrë një tjetër funksion shumë të dobishëm që do të rrisë sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion, i cili do të paralajmërojë drejtuesit e mjeteve për rrugët me histori aksidentesh.

Waze është një nga aplikacionet e navigimit, që shumë njerëz preferojnë për informacion rreth kushteve të rrugëve dhe aksidenteve të mundshme në trafik, transmeton Telegrafi.

Një tjetër veçori shumë e dobishme që paralajmëron përdoruesit për rrugët ku janë regjistruar një numër i madh aksidentesh, është duke u testuar aktualisht. Këto informacionesh mblidhen bazuar në të dhënat nga komuniteti Waze.

Versioni beta i aplikacionit Waze paralajmëron për rrugët e afërta që janë me rrezikshmëri të lartë, kur bëhet fjalë për aksidente trafiku dhe i shënon me të kuqe në hartë.

Megjithatë, “Geektime” shkruan se aplikacioni nuk do t’i shënojë nëse përdoruesi i përdor shpesh këto rrugë, por tregon vetëm një njoftim ‘pop-up’ për rrugët e rrezikshme rreth tij për të qenë më i kujdesshëm, por edhe për të shmangur tensionin.

Funksioni është aktualisht në beta, por së shpejti do të shpërndahet për të gjithë përdoruesit e Waze. Ata që nuk e duan, do të kenë mundësinë ta çaktivizojnë në seksionin e cilësimeve të njoftimeve.

Ky është një nga funksionet e para të reja që Waze ka marrë, që kur aplikacioni ra nën kontrollin e grupit që gjithashtu mbikëqyr Google Maps. /Telegrafi/

Exit mobile version