LAJMI I FUNDIT:

Zhurmë, zhurmë shumë zhurmë

Mbase shikuesit tanë tani më janë të lodhur nga debatet zhurmëmëdha që vijnë nga të gjithë taborët politikë, të cilët buçasin fuqishëm duke e mbuluar çdo zë që mund të dëgjohet përreth. Nuk janë të paktë ata, të cilët u shmangen TV – ve që pretendojnë të jenë pasqyrë e situatës politike në Kosovë. Mbase, ditëve të fundit shtohet numri i blerësve të gazetave që më shumë janë të interesuar t’i shfletojnë faqet e bastoreve të ndryshme dhe shpalljet për vende të lira pune, se sa për titujt bombastik në ballinat e tyre, të cilët shpeshherë ndryshojnë në përmbajtje, varësisht nga qëndrimi redaktorial dhe prirjet e gazetarëve për mënyrën e qasjes.

Andaj, nuk është e rëndë të imagjinohet rritja e numrit të njerëzve që përpiqen të gjejnë një kënd më të qetë në hapësirën e kryeqendrës së Kosovës, që duan të jenë larg kësaj euforie politike, e cila krijohet nga bashkëdyzimi i partive politike, që me çdo kusht përpiqen t’i paraprijnë skandaleve të njëpasnjëshme. Por, është e dukshme se banorët e kryeqendrës sonë, gjithnjë e më vështirë e kanë të gjejnë një hapësirë të gjelbëruar, një qarkullim të lirshëm, për kalimtar ose makina. I vetmi ngushëllim u mbetet është sheshi i ri që është shndërruar në fole të lypsarëve të shumtë. Dhe, mbase, në çaste private kur përballen me vetveten, banorët e Prishtinës, që si gjithë të tjerët aq shumë ëndërruan për lirinë e vendit, për një të ardhme më të ndritur, s’kanë se si mos ta shtrojnë pyetjen se ku janë ata që duhet të kujdesen për kryeqendrën tonë. E përgjigjet mbeten të ngulfatura në zhurmën e borive të fuqishme që janë rezultat i komunikacionit të stërngarkuar, ose edhe më keq, heshtja e përgjigjeve trazohet nga rënia e ndonjë cope të madhe fasade e ndonjë ndërtese të vjetruar, e cila së bashku me ndërtesat e reja që janë ngritur kohëve të fundit, janë pjesë e projektit të mjerueshëm të planit urbanistik të kryeqytetit, qytetit që duhet të jetë fole ku do gumëzhijë zëri i të rinjve.

Dhe në këtë tollovi, ku përzihet shpresa me dëshpërimin, mbetet shumë pak vend për një hapësirë larg zhurmës. E sigurisht fajin për këtë “nuk e ka” i pari i komunës, sepse ai, siç duket, është i zënë me dhënien e deklaratave politike, është i angazhuar me prishjen e koalicionit qendror, kështu që nuk i mbetet kohë për punët që duhet t’i bëjë, për mosrealizimin e të cilave vazhdimisht gjen arsyetime, duke i fajësuar gjithmonë të tjerët. Me çka lë përshtypje që nuk e ka kuptuar se zgjedhësit e tij nuk e votuan të shpjegojë arsyet pse nuk i realizon premtimet e dhëna, por të gjejë rrugë që Prishtinën ta bëjë kryeqendër të të gjithëve, e jo qytet që do mbetet peng i qëllimeve të ngushta partiake dhe personale.


Nuk ka dyshim se në këtë Kosovë ka, dhe gjithmonë do ketë të atillë, që të mirën e popullit e barazojnë me të mirën e vet dhe të partisë së tyre. Andaj, në vend që të punojnë për të mirën e përbashkët, pozitën e tyre ata do e venë në shërbim të partisë. Mbase, kjo ndodh edhe me kryetarin e Prishtinës, i cili në vend që të merret me problemet komunale të kryeqendrës sonë, punë parësore e ka me çdo kusht të sforcojë muskujt e retarduar të LDK-së. E ndoshta kjo mund të jetë edhe detyra e fshehtë që ai ka marrë nga mbështetësit e vet në parti. Mbase, atë as që e intereson gjithaq Prishtina sa “mirëmbajtja” e partisë të cilës i takon. Gjë që nuk është diçka e keqe nëse do ta kishte parasysh se qytetarët e Prishtinës nuk ia dhanë votën të kujdeset për partinë dhe të rregullojë marrëdhëniet në koalicioni qeveritarë, por të drejtojë administratën komunale. Pra, ata që e votuan, shpresonin se i zgjedhuri i tyre ka aq pjekuri politike sa të dallojë se problemet qendrore zgjidhen në parlament, se problemet partiake nuk janë gjithëqytetare.

Por nga ta dish, në këtë Kosovën tonë ku shumëçka është ngatërruar, nuk është e pamundur nëse kryetari i sotëm i Prishtinës edhe gabimisht është kandiduar në vendin e postit të kryetarit të Prishtinës. Pra, mund të bëhet fjalë për ndonjë gabim dhe në vend që bashkëpartiakët e tij ta bënin kryetarë të partisë, apo një nga ministrat e qeverisë qendrore, ai u kandidua dhe u zgjodh kryetar i Prishtinës. Dhe kështu, duke e ndje veten në vend dhe post të gabuar, ai merret me punët që nuk i takojnë. Gjë që edhe mund të sjellë ndonjë të mirë për partinë të cilës i takon, por jo edhe Prishtinës, e cila e zgjodhi për kryetarë të të gjithë qytetarëve, e jo vetëm të atyre që i takojnë partisë së tij.

Si do që të jetë, Kosova sot ngulfatet nga zhurma politike, nga debatet ku çdonjëri e thotë të vërtetën e vet. E ndoshta shumë nga këta debatues, kanë harruar se aty ku janë zgjedhur dhe ajo për çka paguhen, nuk ka të bëjë me të mirën e tyre personale dhe të partisë që i takojnë, se aty ku janë, nuk duhet të merren vetëm me të vërtetën dhe të mirën e vet, por me ato të përbashkëtën. Duke qenë të tillë, ata herë-herë lënë përshtypje se janë të gatshëm të nënkëmbin çdo gjë të vlefshme që bënë të gjithë ata që nuk i takojnë krahut të tyre politikë. Pra, lënë përshtypje se Kosovën e konsiderojnë si pronë të partisë së tyre, si pasuri e cila asgjë nuk vlen nëse nuk është lënë në duart e tyre. Dhe këtë ata e bëjnë vetëm pse nuk janë mësuar që diçka të veten ta flijojnë për interesin e përbashkët kombëtarë, por të thirren në të mirën kolektive, për t’i ushqyer ambiciet e ngushta partiake dhe personale. Andaj, përderisa është kështu, duhet thënë hapur se Kosova sot jeton zhurmën e të ardhurve nga e djeshmja, e të cilët duan ta robërojnë të sotmen e shtetit tonë. Kështu që të gjithë qytetarë duhet të bëjnë çmos ta heshtin këtë zhurmë, me çka më qartë do dëgjohet zëri ia atyre që flijuan rininë e vet për ta bërë Kosovën këtë që është sot – të pavarur dhe demokratike. E në të cilën ka vend për të gjithë, edhe për të djeshmit edhe për të sotmit, por vetëm nëse çdokush e kupton se ka diçka që qëndron mbi interesat e ngushta partiake e personale – interesi i të gjithë neve që jetojmë në këtë shtet.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Kalo në kategori