Me atë letër, atëbotë kreut i FBI-së, J. Edgar Hoover, u përpoq që të ndalonte udhëheqësin e lëvizjes për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, vetëm disa ditë para se Martin Luther King të fitonte Çmimin Nobel për Paqe, në vitin 1964.

Hoover, përmes letrës e kërcënonte Kingun me publikimin e aktiviteteve të tija jashtëmartesore dhe se do ta detyronte të kryente vetëvrasje. "Për ju ekziston vetëm një rrugë. Më mirë është ta marrësh atë, para se fotot tuaja të ndyra dhe jonormale të shfaqen para kombit", shkruante ndër të tjera në letër, transmeton Telegrafi.


King tashmë kishte udhëtuar për në Norvegji, në kohën kur letra erdhi në adresën e tij, të cilën e hapi bashkëshortja e Martinit, Coretta.

Letra tashmë ishte publikuar edhe më parë, por ajo që e bënte të veçantë kësaj here, ishte e pacensurar.

"Unë isha i befasuar që e gjeta versionin e plotë, letrën e pacensurar, në mesin e shumë dokumenteve të Kingut, të vendosura në arkivat kombëtare", tha Bevery Gage, historian nga Universiteti i Yale-s.

Hoover e kishte urryer Kingun, në atë masë që e klasifikonte si "udhëheqësin e zi më të rrezikshëm dhe më efektiv në Shtetet e Bashkuara". Letra, që i ishte dërguar nga FBI, është shkruar nga makina daktilografie, ndërsa autori veten e quan përfaqësues të komunitetit të zi amerikan.

"King, shikon në zemrën tënde. Ti e di që je një mashtrues dhe një kërcënim i madh për ne", shkruan ndër të tjera në këtë letër.

Letra ishte shkruar nga agjenti i FBI-së, William Sullivan, dhe është shkruar qëllimisht me gabime gramatikore, në mënyrë që ajo të ishte "bindëse". Në letër kërkohej që Kingut t’i merrej jeta brenda 34 ditëve, ose një ditë para se ta marrë Çmimin Nobel për Paqe. /Telegrafi/