Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë ditës ka qëndruar në Mitrovicën Veriore. Nga atje ai ka folur për rastet e arratisjeve nga sistemi i drejtësisë i tre të dënuarve për vepër penale të rënda, vrasje.
I arratisur nëntë herë nga burgjet e Kosovës, së fundmi disa ditë më parë, Faton Hajrizi tani po i çon porosi edhe të parit të Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, që tha se është çështje orësh kur ai arrestohet.
“E pyes Sveçlën, ke punu në furrë a si është puna se i kishe do orë të furrigjisë. Nuk mundesh me me kapë ti mu, kurrë s’mundesh me me kap, o ministër i punëve të kota. Ata të cilët me kishin kap edhe me marrëveshje janë në Hagë atje, që ja kisha ngu hatrin, jo lepurushat e Vetëvendosjes, ju njohim mirë kush jeni”, deklaron Hajrizi nga arratia.
Hajrizi vazhdon të jetë i pa-qasshëm për institucionet e drejtësisë por ministri Sveçla i është përgjigjur atij në një deklaratë për TV Dukagjinin.
“Unë nuk e kapi askënd, janë institucionet që merren me ta”, ka deklaruar Sveçla.
Por, Faton Hajrizi është vetëm njëri nga tre persona me nam kohëve të fundit që janë arratisur nga sistemi i drejtësisë së Kosovës.
I dënuar me 25 vjet burgim për nxitje të vrasjes në arrati qe 57 ditë është edhe Enver Sekiraqa, e gjithashtu edhe Marko Roshiq, i dënuar në rastin e vrasjes së Ivanoviqit.
Atyre u ishte zëvendësuar masa e sigurisë nga mbrojtja në liri në paraburgim por nuk kanë arritur të kapen nga organet e sigurisë.
Por, për ministrin Sveçla ata nuk janë të arratisur.
“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur. Tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërku prej tyre. Policia e kryen punën e vet. Nuk ka najfar telashe”, ka vijuar Sveçla.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla gjatë së premtes ka qëndruar në Mitrovicën Veriore bashkë me ministrin e Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi e janë parë nën shoqërimin edhe të Agim Bahtirit e zëvendës komandantit të Policisë, Veton Elshani duke shijuar kafe e ushqim në këtë qytet.