Westerwelle nga Prishtina bën thirrje për njohjen e Kosovës

Westerwelle i bëri këto komente pas takimit të përbashkët që kishte me kryetarin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe shefin e diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni.
Ministri gjerman tha se perspektiva e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian e përfshin edhe Kosovën, por porositi institucionet e Kosovës të luftojnë më shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të angazhohen për një shtet demokratik dhe ligjor.
“Gjermania e ka mbështetur dhe do ta mbështesë gjithnjë Kosovën dhe këtë do ta bëjë edhe në rrafshin politikë duke u bërë thirrje vendeve që ta njohin pavarësinë e Kosovës”.
Westerwelle nga Prishtina porositi vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, por edhe vendet e tjera, se pavarësia e Kosovës është një rast i veçantë dhe se nuk mund të merret si model nga asnjë vend tjetër në botë.
Nuk do të ketë vizatim të kufijve në Ballkan
Gjatë një fjalimi të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryediplomati gjerman, Weserwelle tha se shteti i tij do të punojë dhe lobojë që Kosova të jetë anëtare e familjes së vendeve dhe popujve të lirë të botës. Për këtë, ai porositi kosovarët të punojnë me vendosmëri që ta hapin rrugën drejt BE-së.
Para deputetëve kosovarë, Westerwelle, mohoi çdo mundësi të ndryshimit të kufijve në Ballkan. Ai tha se me pavarësinë e Kosovës, ka marrë fund vizatimi i kufijve për rajonin e Ballkanit. Prandaj vendet, si Kosova dhe Serbia, siç tha ai duhet të shikojnë të ardhmen e tyre në BE. Ministri gjerman tha se do të vije koha kur në Bruksel do të jetë i ulur një përfaqësues nga Kosova dhe në anën tjetër do të jetë edhe përfaqësuesi i Serbisë.
Gjatë seancës solemne, Westerwelle, në fjalimin e tij u fokusua edhe tek pajtimi mes shteteve. Ai tha se e kupton se pajtimi merr kohë, por është i nevojshëm. Me këtë rast, ai kërkoi nga Kosova dhe Serbia, t’i marrin shembuj fqinjët e Gjermanisë të cilët janë pajtuar, pavarësisht dhimbjes që i ka shkaktuar Gjermania. Dhe për këtë, të gjitha sfidat që mund t’i dalin Kosovës, ministri gjerman ka garantuar ndihmën e Gjermanisë. /Telegrafi/




















































