Policia e shtetit tha të mërkurën se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.30 kur një automjet ka ardhur me shpejtësi dhe pasi ka marrë përpara sinjalistikën e vendosur (konikët) dhe tabelën “ndal policia”, ka goditur punonjësin e policisë Alistafaj, 29 vjeçar, me detyrë oficer në Njësinë për Kontrollin e Autostradave, i cili ishte dhe përgjegjës i kësaj pike kontrolli.

Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e policisë prezent në vendngjarje, duke bërë të mundur bllokimin e mjetit dhe kapjen e shoqërimin në ambientet e policisë të autorit të kësaj ngjarje shtetasin Agim Ramazan Hajdini, 33vjeçar, banues në Burrel, i cili drejtonte automjetin tip BMW me targa Italiane, BY 470 mz. Së bashku me autorin e kësaj ngjarje në ambientet e policisë është shoqëruar dhe pasagjeri që po udhëtonte me këtë mjet shtetasi Erind Katuci, 21 vjeçar, banues në Gurrë e Vogël Mat.


Ndërkohë, menjëherë nga punonjësit e policisë i është dhënë ndihma e parë kolegut të tyre, si dhe është transportuar në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë, Alistafaj ka ndërruar jetë.

Aktualisht ndaj shtetasit Agim Hajdini po kryhen veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë. /Telegrafi/