LAJMI I FUNDIT:

Volkswagen zbulon specifikat e para të modelit ID. Buzz

Volkswagen zbulon specifikat e para të modelit ID. Buzz

Volkswagen pritet që pas dy jave të prezantojë veturën elektrike ID. Buzz, e para se ta bëjë këtë ka zbuluar detajet e para për këtë mjet motorik.

VW ID. Buzz paraqet versionin serik të konceptit të mikrobusit elektrik, që u prezantua pesë vite më parë, transmeton Telegrafi.

Kompania nga Wolfsburgu akoma nuk është e gatshme të ndajë të gjitha detajet për furgonin elektrik, por megjithatë ka ndarë disa specifika të modelit të dedikuar për tregun evropian.


Do të jetë i qasshëm në versionin komercial dhe transportues mallrash. Versioni më i gjatë me tri radhë të ulëseve do të shitet edhe në SHBA gjatë vitit të ardhshëm.

VW ka konfirmuar diçka që tashmë është ditur – e bëhet fjalë për të dhënat e ID. Buzz që është i bazuar në platformën MEB, që ndan komponentë me modelet ID.3 dhe ID.4.

Furgonin e vë në lëvizje motori elektrik i vendosur në pjesën e pasme që do të prodhojë 201 kuaj-fuqi. Aty është bateria me kapacitet prej 77 kWh, e më vonë pritet të ketë një version më të fuqishëm që do të ketë dy motorë elektrikë.

E pavarësisht nëse bëhet fjalë për modelin ID. Buzz apo ID. Buzz Cargo, shpejtësia maksimale do të jetë e kufizuar në mënyrë elektronikë në 145 kilometra në orë.

Versioni komercial do të ketë hapësirë të mjaftueshme për pesë persona dhe bagazh prej 1.121 litra. Në anën tjetër, versioni për transportim mallrash do të ketë tri ulëse dhe bagazh prej 1.900 litra. /Telegrafi/