Viti 1973: Çfarë barsoletash tregoheshin për Titon!? (4)

LEXO PO ASHTU: Viti 1973: Si u survejuan pesë shkrimtarët e Kosovës në Shqipëri? (1)
LEXO PO ASHTU: Viti 1973: Miqtë spiunonin kolegët shkrimtarë nga Kosova! (2)
LEXO PO ASHTU: Viti 1973 dhe sigurimi i Shqipërisë: Çka mendojnë shkrimtarët e Kosovës për luftën arabo-izraelite?! (3)
Kjo është pjesa e fundit e relacionit sekret prej 25 faqesh hartuar në nëntor 1973 nga Odhise Grillo e Hamit Boriçi mbi vizitën 12 ditore në Tiranë të pesë shkrimtarëve kosovarë. Ndërsa kanë njoftuar detajet më të hollësishme të bisedave dhe sjelljeve të tyre, në këtë pjesë të fundit të relacionit, Grillo dhe Boriçi tregojnë se kë kanë kërkuar të takojnë, kë takuan dhe ku kanë ndodhur takimet.
Po ashtu kanë rrëfyer edhe raste refuzimesh, si rasti i një mjekeje të njohur në Tiranë apo shkrimtari Agim Shehu e regjisori Pirro Mani, të cilët sipas hartuesve të këtij relacioni edhe pse u njoftuan nuk u paraqitën në takim me shkrimtarët nga Kosova, fakt që ata nuk e kishin pritur mirë.
Veç kësaj, në këtë pjesë të fundit të këtij dokumenti të rëndësishëm që tregon se çfarë kujdesi tregohej në kohën e regjimit për të zbuluar agjenturat, jepen po ashtu detaje disi qesharake: ata tregojnë barsoletat që thoshin shkrimtarët kosovarë për Titon. Po ashtu, në fund Grillo e Boriçi propozojnë edhe disa masa që duhen marrë pas kësaj vizite.
Pjesa e fundit e dokumentit:
5) Për ambasadën jugosllave në Tiranë
Edhe nga bisedat me të tjerët - tregojnë këta - del se është shumë e interesuar të mbajë marrëdhënie të mira. Titullari dhe funksionarët e ambasadës, në bisedat me kosovarët, përqendrohen në dy gjëra:
- Flasin për sukseset e RP të Shqipërisë, për transformimet dhe qëndrojnë në bukuritë e Shqipërisë, për shndërrimin e kodrave të bregdetit në plantacione të mëdha agrumesh.
- Japin porosi për të pasur kujdes të mos ndërhyhet në gjëra të brendshme, të mos i lihet shteg keqkuptimeve.
Grupit të shkrimtarëve dhe studiuesve kosovarë në ambasadën jugosllave në Tiranë u është thënë: Ju lutemi, kur të ktheheni mos shkruani keq, mos bëni veprime që të dëmtojnë marrëdhëniet tona.
Atasheu kultural i ambasadës, një ish-profesor kosovar, u ka thënë disave në biseda individuale: “Ne kemi bërë një projekt të avancuar për marrëdhëniet kulturale për vitin e ardhshëm. Kemi parashikuar rritje, dyfishim aktivitetesh reciproke. Projekti i bërë nga ne në ambasadë u vonua disa muaj në Beograd, por u aprovua. Ia kemi dhënë Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Akoma nuk kemi ndonjë përgjigje, por nuk mund t’u kërkoj përgjigje shpejt, megjithëse jemi të interesuar, sidomos ne, kosovarët”.
Këta e shpjegojnë qëndrimin zyrtar të qeverisë së Jugosllavisë ndaj Shqipërisë, përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet, ngase e vlerësojnë shumë forcën e RP të Shqipërisë, ngase duan të kenë kurdoherë krahë të shëndoshë. Ky është realitet. Këtë realitet e njohin edhe kuadrot ushtarake. Tregojnë se në një bisedë mbi situatën ndërkombëtare, mbajtur nga një gjeneral në një armatë të Sllovenisë, emri i Shqipërisë nuk u përmend. Një ushtar maqedonas, i nxitur nga dy ushtarë kosovarë rezervistë (njëri prej tyre Vehbi Kikaj, zborist) i bëri pyetje gjeneralit: “Pse nuk thatë asnjë fjalë për Shqipërinë”?
Gjenerali dha këtë përgjigje: “Unë kam pikëpamjen time për Shqipërinë. Këtë e kam shprehur edhe herë të tjera. Dhe, në qoftë se nuk e zura në gojë në këtë bisedë, të jeni të sigurt se nuk e lashë në harresë, as për nënvleftësim se Shqipëria është një vend i vogël. Një popull, i cili shkeli Traktatin e Varshavës dhe që nuk trembet as nga B. Sovjetik e as nga Amerika, nuk është një popull i vogël, por është një popull i madh. Forca e këtij populli qëndron në faktin se armiqtë e jashtëm nuk kanë mundur dhe nuk mundin të realizojnë aleancë me armiqtë e brendshëm”.
Më poshtë gjenerali (emrin e të cilit nuk arritëm ta mbanim shënim) foli hollësisht për Shqipërinë, për forcën dhe aftësitë mbrojtëse të vendit tonë.
Është e qartë se, pas fjalëve të mira që thanë në Ambasadën jugosllave në Tiranë për Shqipërinë, është edhe puna e vazhdueshme e funksionarëve të saj me individët kosovarë. Ne konstatuam se përfaqësuesi i JAT-it dhe, disa herë, atasheu kultural që banonte me gruan e fëmijët në hotel “Dajti”, janë takuar me Agim Devën dhe Maksut Shehun. Maksuti një ditë është mbyllur në dhomën e vet me atasheun kultural, kishte lënë hapur telefonin. Më 24 nëntor, përsëri, për një kohë të gjatë Maksuti ka biseduar me atasheun kultural.
6) Fakte të shkëputura
- Na keni krijua kushte për t’u takuar me të gjithë ata që kemi kërkuar - na thanë - jeni lodhur për ne. Na falni - e kemi ndjerë veten jo si në shtëpinë tonë - na thanë - por në shtëpinë tonë.
Gjatë qëndrimit, shkrimtarët kosovarë kërkuan të takoheshin:
Maksut Shehu me prof. Ahmet Gashin. Shkoi e takoi. Biseduan për të kaluarën, për njerëz të njohur dhe për të tashmen. Asgjë tjetër. I dhuroi profesorit pako kafe.
Maksut Shehu me një njeri që tha se ishte daja i vet. Ai banon në rrugën “Besim Imami”, 85. Atje e çoi shoferi.
Vehbi Kikaj me kushërirën e të shoqes së shkrimtarit Rrahman Dedaj. E mori në telefon dhe ajo erdhi e takoi në “Dajti” tok me të bijën e vet dhe të shoqin e vajzës. Si quhen nuk e mësuam dot. Kur do të ikte i sollën një pako për Rrahmanin. Kjo familje banon te pallati afër kino “Partizanit”.
Vehbi Kikaj me Ali Musliun në Fier. Tha se e kishte dajë. Shkoi e qëndroi për darkë në shtëpinë e Aliut. Prej andej erdhi me përshtypje të mira dhe entuziast për jetën e mirë që bënte daja.
Qamil Batalli me Ali Ukën në Fier. Shkoi bashkë me Agim Devën dhe njërin prej nesh. Atje gjetën edhe katër kosovarë të tjerë. Qamili i dha disa ilaçe për të birin e Aliut. I dërgonte një fis i tyre që ishte nëndrejtor i entit shëndetësor në Prishtinë. Biseda qe e ftohtë dhe e shkurtër se njërit prej kosovarëve i kishte vdekur një fëmijë. Biseda u soll rreth kësaj ngjarjeje.
Qamil Batalli me Niko Nikollën, kryeredaktor i “Hostenit”. I përsëriti kërkesën që Niko tok me Sofo Afezollin, kryeredaktor i “Mësuesit”, të shkojnë në Kosovë.
Qamil Batalli, Rifat Kukaj me Sofo Afezollin. U takuan në “Dajti”. U përsërit kërkesa për të shkuar në Kosovë.
Qamil Batalli donte të takonte mjeken Fiqret Shalari, në spitalin Nr. 1, Tiranë. Sipas tij, donte të bisedonte lidhur me dy fëmijë të një farë Toperloku nga Prishtina që i ka shurdhmemecë, se ndofta ia operon. Toperloka ka bërë edhe lutje. Nuk u takuan dot.
Rifat Kukaj i solli Osman Krajës, zëvendësrektor i USHT-së dy kuti të vogla me ilaçe. Osmani nuk erdhi t’i merrte edhe pse u lajmërua. Ilaçet na i lanë neve.
Rifat Kukaj donte të takonte Zef Bumçin për t’i marrë disa karikatura për “Thumbin”. Nuk u takuan.
Kërkuan të takonin Agim Shehun e Pirro Manin. I lajmëruam, por nuk erdhën. U mbeti qejfi për këtë dhe e shfaqën, sidomos Maksuti.
Disa nga anekdotat që na tregoi Rifati, në praninë e Vehbiut:
1. Malazezët i kanë këngët me dy nota (do-re). Dy sharrëxhinj malazezë, prisnin një trung me sharrë duke kënduar: de-vo-i-ci-ce (avash avash, si dembelë që janë). Shkoi aty afër Titua dhe u tha: këndojeni këngën kështu, Devojcice, devojcice, devojcice (pra me shpejtësi). Kjo anekdotë ka efekt kur shoqërohet me lëvizje.
2. Tito takon një shok lufte, fshatar. Fshatari e pyet:
- Ku e ke atë shokun që quhej Gjilas?
Titua i përgjigjet:
- Donte një tjetër socializëm ai, prandaj u ndamë.
Fshatari iu përgjigj:
- Shumë mirë bëtë që u ndatë. Nuk na duhet socializmi i tij se edhe ky që kemi na ka ardhur në majë të hundës!
3. Tito ishte i mërzitur. Që ta sillnin në qejf, morën një shakaxhi. Shakaxhiu hyri në sallë dhe u ngatërrua në qilimin e madh e të bukur dhe ra. Tito i tha:
- Mos u mërzit. Do të mësohesh të ecësh në qilim kur t’i kesh në shtëpinë tënde, se për këtë luftojmë.
Shakaxhiu qeshi me të madhe. Tito e pyeti:
- Pse qesh?
Shakaxhiu iu përgjigj:
- Erdha t’ju bëj që të qeshni, por më bëtë ju të qesh mua. Qenkeni shakaxhi i madh!
Disa propozime:
1. Ne mendojmë se do të jetë e dobishme të vazhdojmë ndikimin tonë ndaj elementëve me predispozicionin pozitiv si Vehbi Kikaj e Qamil Batalli edhe në të ardhmen. Mund të ftohen përsëri për të marrë pjesë në aktivitete letrare e studimore për letërsinë për fëmijë, për gjuhën shqipe, mund të ftohen për pushime, etj.
Ndikimi ynë duhet të vazhdojë, sipas mendimit tonë, edhe ndaj Rifat Kukës (që për ne duhet studiuar më thellë tipi i tij) edhe ndaj Agim Devës, që është i talentuar për letërsinë për fëmijë.
Për mendimin tonë Maksuti nuk paraqet ndonjë interes për ne.
2. Do të jetë e dobishme të bëjmë botime të këtyre autorëve edhe në revistat për fëmijë, gjithmonë duke i zgjedhur me shumë kujdes copëzat, fragmentet.
3. Përgjegjësi i grupit, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve kosovarë, Vehbi Kikaj, i autorizuar, bëri një ftesë zyrtare në adresë të komisionit të letërsisë për fëmijë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe të sektorit të historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë për t’ua kthyer vizitën një grup shkrimtarësh e studiuesish të letërsisë për fëmijë.
Ftesën do ta dërgojnë me shkrim.
4. Ata shfaqën dëshirën për të marrë pjesë në sesione shkencore dhe simpoziume, që bëhen tek ne për problemet e letërsisë në përgjithësi dhe në veçanti të letërsisë për fëmijë si dhe probleme të gjuhës shqipe, duke theksuar se ata e kuptojnë që për fëmijët gjuha ka rëndësi të veçantë dhe se veprat për fëmijë si dhe probleme të gjuhës shqipe, duke theksuar se ata e kuptojnë që për fëmijët gjuha ka rëndësi të veçantë dhe se veprat për fëmijë nuk mund të shkruhen me gjuhën e gazetës “Rilindja”.
Ne mendojmë se ky propozim mund të pranohet, duke u studiuar konkretisht sipas planeve të disa aksioneve shkencore, që ka Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë si dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve për vitin 1974. Ne mendojmë se në simpoziumin kombëtar të letërsisë për fëmijë është mirë të ftohen ndoshta më shumë se 5 veta.
Njëkohësisht mendojmë që këtyre dhe të tjerëve që ne i njohim, t’u dërgohen në adresa personale botimet tona në fushën e letërsisë për fëmijë dhe botimet shkencore gjuhësore e letrare.
Shoqëruesit
Hamit Borici
Odhise Grillo
Tiranë, nëntor
/Shqiptarja/
















































