Viktor Berisha kishte probleme me ligjin

Viktor Berisha është i lindur në Kosovë, në vitin 1971, ndërsa në Zvicër ka ardhur si azilkërkues në vitin 1991. Vite më vonë ai ka marrë shtetësinë e Zvicrës. Ai ka qenë i martuar dhe ka pasur tre fëmijë.
Një detaj i rëndësishëm që ka dhënë prokuroria ka të bëjë me recidivizmin e Viktorit. Ai ka qenë i dënuar njëherë, por me kusht. Kjo ka ndodhur më 13 mars të vitit 1998, kur tashmë i ndjeri ishte dënuar me 12 muaj burg me kusht, për pjesëmarrje në një grabitje.
Ndërsa, duke bërë fjalë për krimin e pardjeshëm, prokuroria njoftoi se “obduksioni i kufomës ka treguar se Viktori ka vdekur në vendin e ngjarjes, i qëlluar me armë”. Ai kishte qenë i vdekur në momentin kur policia ka arritur në vendin e ngjarjes. Por, se në ç`mënyrë i janë shkaktuar atij plagët vdekjeprurëse, mbetet objekt i hetimeve të mëtejme. Të plagosurit, për shkak të gjendjes së rëndë të tyre, nuk kanë mundur të merren në pyetje, gjë që do të mund të sillte më shumë dritë në ngjarjen tragjike, raporton Albinfo.ch.
Ndërkohë, është arrestuar edhe personi i cili ka pasur në dorë armën vdekjeprurëse para se ta merrte atë Viktori. Ai është një 43 vjeçar nga kantoni Obwalden.
Sipas prokurorisë, pesë të plagosur ndodhen ende në spital, prej tyre dy veta janë në rrezik jete. /Telegrafi/





















































