Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur jashtëzakonisht të dëmshëm vendimin për të ndërprerë punimet në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.
Vetëvendosje thekson se ky vendim jo vetëm që është i dëmshëm në aspektin ekonomik e infrastrukturor, por edhe në atë politik e shtetëror.
“Qeveria e Kosovës e ka përgjegjësi mbrojtjen dhe afirmimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, thekson kjo parti.
Nisur nga kjo deputetë të GP të LV-së, sot, kanë dorëzuar kërkesën për shpjegime në lidhje me ndërprerjen e punimeve në realizimin e këtij projekti.
Ndryshe, ditë më parë kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj kishte thënë se për një asnjë çmim nuk do të ndalet ndërtimi i rrugës që kalon afër zonës së Manastirit.
Ai kishte thënë se janë aktivizuar si personeli i Manastirit po ashtu edhe zyrtarët e lartë të nivelit qendror dhe ndërkombëtar që t’i pengojnë punimet në ndërtimin e rrugës së jetesës për deçanasit.
Lidhur me këtë, kryetari Ramosaj ka pasur takim edhe komandantin e KFOR-it.
Ndalimin e menjëhershëm të punimeve e ka kërkuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Madje, ai ka kërkuar nga Brukseli që të ushtrojë presion ndaj Prishtinës.
Një ditë më parë, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, siç thuhet në njoftim në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit. /Telegrafi/