LAJMI I FUNDIT:

Veshjet që të shpëtojnë jetën

Veshjet që të shpëtojnë jetën

Një ekip shkencëtarësh amerikanë kanë dizenjuar një palë veshje burrash që janë të rehatshme, jetëgjata, bile edhe moderne, të afta të të shpëtojnë edhe jetën.

Në llastikun e tyre dhe në kontakt të vazhdueshëm me lëkurën, është vënë në biosensor elektronik, i aftë të masë presionin e gjakut, të rrahurat e zemrës dhe shenja të tjera vitale. Kjo teknologji, e zhvilluar nga profesori i nanoinxhinierisë, Jozef Uang, i Universitetit të San Diegos (Kaliforni) dhe ekipi i tij, ka hapur një fushë të re të zhvillimit të tekstileve inteligjente nga përdorimi nëpër spitale, në përdorimin nëpër shtëpi. Metoda është e ngjashme me shkrimin në ekrane elektronike.

Projekti mendohet të vihet në shfrytëzim, së pari, nga ushtria amerikane. "Ky projekt specifik përfshin monitorimin e ushtarëve të plagosur gjatë operacioneve në kampet e luftës dhe qëllimi është të vendosen sensorë në trup që të identifikojnë tipin e plagosjes", ka thënë Uang. Kohët e fundit, biosensori që zbulon plagosjen, mund të drejtojë edhe lëshimin në trup të ilaçeve që lehtësojnë dhimbjen, bile edhe që trajtojnë plagën, por kjo teknologji nuk do të përdoret vetëm në ushtri. "Ne mendojmë të përdoret edhe në monitorimin në distancë të pleqve në shtëpi, duke monitoruar një gamë të gjerë parametrash, si ato të zemrës, dhënien e alarmit për ndonjë infarkt të mundshëm, ndryshimet diabetike dhe të tjera", ka thënë Uang.

Biosensorët mund të japin .të dhëna të vlefshme për atletët ose edhe të masin nivelet e alkoolit në gjak. Megjithatë, Uang ka shtuar edhe se duhet kohë para se këto veshje "inteligjente" të përdoren nga ushtarët në fushën e luftës, pasi nevojitet më shumë punë që sistemet e monitorimit të jenë të fuqishme aq sa duhet për të duruar aktivitetin ditor të një ushtari. Ai tha se janë në rritje nevojat për të zhvilluar sisteme monitorimi të shëndetit që të jenë të lehta për t’u përdorur dhe të besueshme, por ende nuk janë zgjidhur gjithë problemet teknike që kanë lidhje me këtë. /Telegrafi/