LAJMI I FUNDIT:

Vepra e panjohur e Mjedës, “Historia e Shenjtë”

Vepra e panjohur e Mjedës, “Historia e Shenjtë”

Mentor Quku (20.01.1939 – 01.06.2014)

Proza e Mjedës u la në terr gjatë viteve të diktaturës. Për fat të keq, përveç saj, e pësuan edhe vlerat e mëdha artistike e gjuhësore të prozës së Mjedës. Po ashtu edhe proza me karakter historik, linguistik, arsimor, mbeti jashtë vëmendjes së studimeve letrare të kohës…

Proza e Mjedës, një e panjohur e madhe. Emri i Mjedës ka hyrë në historinë e kulturës dhe letërsisë shqipe si poet lirik në zë. Mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme të thuhet sot, kur studimet mbi Mjedën kanë sqaruar profilin shumëpërmasor të tij. Si rezultat i studimeve rezulton se vepra në prozë e Mjedës është shumë hërë më e madhe në volum, se lirikat e tij, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre përbëjnë kryevepra të letërsisë shqipe të traditës. Interesimi dhe planet e Mjedës në fushën e prozodisë shqipe kanë rënë sy që në rininë e tij.


Që kur ishte student jasht shtetit, Mjeda është interesuar për të njohur koleksione leksikore, frazeologji, paradigma e tekste shqipe me qellim qe të hartonte tregime, kalendarë, drama, histori shqiptare. Ja çfarë shkruan ai: “Do të më nevojitej një pajisje më e madhe frazash e fjalish shqipe.” (Atë Dedë Pasit, 30 nëntor 1887), “Do të doja të filloja ndonjë tregim që do të mund të vazhdohej në vitet që pasojnë”( Atë Dedë Pasit, 12 maj 1888). “Per pjesë t’parë të historisë qi due me shkrue kam kendue shum libra, por ende do t’kendoj ma shumë se njiqind libra të tjerë” (Nikolla Naços, 3 janar 1893). Në vitin 1888 Mjeda kishte botuar tre vepra (“Shahiri Elierz”, “Kalendari i vitit 1889” dhe “Jeta e shejtit Sh’Gjon Berkmans”) dhe kishte gati për botim edhe tre vepra të tjera (“T’përgiamit e Zojës së bekueme”, “Jeta e Sh’Luigj Gonxaga”, “Krahasim i alfabeteve ekzistuese të gjuhës shqipe”). Por sidomos mbasi u kthye në atdhe, Mjeda bëri disa botime serioze kryesisht origjinale, por edhe ato që i përktheu më tepër ishin rikrijime artistike të Mjedës.

Ai la një trashëgimi me vlera të mëdha në prozodinë e letrave shqipe. Ruhet një poezi italisht, mesa duket e ndonjë njohësi të mirë të veprës letrare të Mjedës, në të cilën vlerësohet lart poezia por edhe veprat në prozë të tij, shumë herë më të vëllimshme se lirikat e tij. Japim një fragment: “Ai është shkrimtar i zoti dhe elegant/ I formuar në Perëndim dhe në Lindje. /// shkroi për jetën e bukur të Bergmansit / Pastaj për

T’pergiamit e Maries. /// Botoi librin për festën e Katundaris / Shkroi nganjëherë edhe tek Lajmëtari. /// I dha jetë Luigj Gonxagës / Shkroi, aq sa i madh e i vogël e vlerësuan./// Me Xanonin bashkëpunoi në Këndime / Dhe që të dy u vlerësuan në kulm./// Histori Shejte e Katekizma publike / Me stil që s’ka si bëhet më i lehtë./// Lavditë e Maries të Shën Alfonsit /

Përktheu: Kush mund t’ia arrij për lavde?” AQSH (fd. Ndre Mjeda, d. 10, fl. 11 (rekto dhe verso).

Për vite me radhë librat e Mjedës në prozë, njohën disa ribotime dhe përpunime. Ata paten shumë vlerësime për kohën, mirëpo pas vdekjes së Mjedës, studimet dhe kritika letrare nuk u kujtuan më për to. Kjo ndodhi për disa arsye: së pari ndikoi fama që fitoi Mjeda që në rininë e tij të hershme si poet lirik. Kjo aureolë sikur i la në hije veprat e tij në prozë dhe profiling e tij si prozator i talentuar. Së dyti këto vepra ishin kryesisht me karakter hagjiografik, patrologjik, asketik, kështu që mbeten pak të lexueshëm nga pjesa jo katolike e popullsisë shqiptare. Veçanërisht në këtë drejtim, proza e Mjedës u la në harresë gjatë viteve të diktaturës.

Për fat të keq, përveç kësaj, e pësuan edhe vlerat e mëdha artistike e gjuhësore të prozës së Mjedës. Por duhet thënë se edhe proza me karakter historik, linguistik, arsimor, mbeti jashtë vëmendjes së studimeve letrare të kohës. Mendoj se kritika letrare duhet të orientohet edhe në këtë fushë të panjohur të krijimtarisë letrare të Mjedës. Duhet menduar për ribotimin e veprave në prozë të Mjedës, me qëllim që ato të bëhen pronë reale e kulturës sonë kombëtare. Në mes të botimeve të shumta në prozë të Mjedës, dallohen dy veprat origjinale të tij “Historia Shejte” dhe

“Jeta e Shejtit Sh ‘Luigj Gonxaga”. Kësaj radhe po ndalemi në librin kushtuar historisë biblike “Historia Shejte”, kryevepër proze në letërsinë shqiptare.

Vlerësim të lartë gjejmë në shtypin periodik: “Mjeda shkroi “Historinë Shejte”, dhe i duel kryevepër proze.” (Skyferi, Nji padi, Aurora Consurgens, Shkodër, nr. 1, viti 1944, fq. 11-13.) Cordignano ka bërë një vlerësim të lartë për këtë vepër në prozë të Mjedës: “Dom Ndre Mjeda nuk ka shkruar shumë, por çka ka shkruar, e ka të përsosur me një plotësim krejt të zgjedhur. Kështu “Historija Shejte” është njëkohësisht një zbukurim i çmueshëm gjuhe e stili popullor e të kulturuar. Njëkohësisht edhe poezitë që ai, me shumë bujari, më ka dhënë lejen për t’i shtypur në këtë bashkim vjershash, janë pjesa më klasike e më e bukur n’atë prodhim jo të vogël të letërsisë shqipe.” (Cordignano, Lingua Albanese, Milano, 1931, fq. 226-227). Shtypi kohës vrapoi ta cilësonte si një vepër, shembull që tregon artin klasik të Mjedës, që manifeston pasurinë leksikore, harmoninë dhe fuqinë shprehëse të gjuhës shqipe. (Pika letratyret, Perparimi, v. 7, fq, 143-145, Shkodër, gusht 1915.) Vepra u botua tri herë me radhë në Vjenë, pa emën autori, pa vend e pa vit botimi (1906, 1911, 1915).

Botimi i parë u bë me alfabetin e Mjedës me shenja diakritike, botimi i dytë u bë me alfabetin e ri, atë të Manastirit, ndërsa botimi i tretë u bë duke ia përshtatur së folmes së Elbasanit. Pastaj erdhi KLSH dhe mbas saj, Mjeda vazhdoi zakonin për t’i përpunuar veprat në përputhje me planet e tij për një normë letrare të përbashkët të gjuhës shqipe.

Kryesisht Mjeda ka zbatuar rregullat e gjuhës së shkruar të vendosura në KLSH, gjuhë e cila mori emrin “gjuhë e mesme”. Në variantet e ndryshme të ortografisë që Mjeda paraqet në botimet e mbas KLSH, mund të kuptojmë përpunimet që i bëri poeti ortografisë së gjuhës të shkruar shqipe. Angazhimet e vazhdueshme të Mjedës me studime rreth gjuhës shqipe, përbëjnë një monument të pavdekshëm.

Botimet e tij të viteve 1925-1928, janë kontribute të rëndësishme në kohën kur ai vazhdoi të punonte për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, për teoritë e tij gjuhësore. Shembull në këtë fushë është ripunimi që i bëri librit “Historia Shejte”, në vitin 1928. Lejen për botim e dha Emzot Lazër Mjeda, më 31 mars 1928. Ja disa raste të përpunimeve gjuhësore, stilistike, leksikore që Mjeda bëri në botimin e vitit 1928: Zëvendëson trajtat e vjetra me të reja: Mjeda gjatë përpunimit ka zëvendësuar e-në në a, duke hequr dorë nga trajtë e gegërishtes së Veriut, në mënyrë të veçantë të shkodranishtes. Kështu Mjeda mendon të shkojë drejt afrimit me toskërishten: lerg (HSh3) larg (HSh4); nelt(HSh3) nalt (HSh4); prep (HSh3) prap (HSh4); tesh(HSh3) tash(HSh4); mjeft (HSh3) mjaft (HSh4); vrep (HSh3) vrap (HSh4); zjerm (HSh3) zjarm (HSh4); gjet gjinden (HSh3) gjet gjindtë(HSh4); Gjithashtu ka zëvendësuar Ama(HSh3) me Epma(HSh4); Gjytet (HSh3) me qytet (HSh4); të ndeztë (HSh3) me të nxetë (HSh4); â (HSh3) me âsht (HSh4); vetun (HSh3) me vetem (HSh4); të pêndueshme (HSh3) të pêndueme (HSh4); Vepra ka një stil elegant tipik klasik, aq i njohur edhe në poezitë ve tij. Stili dallohet për qartësinë e mendimit, saktësinë e shprehjes, si edhe për pasurinë e madhe leksikore e frazeologjike. Proza e Mjedës dallohet për ligjërimin e tij konciz dhe të figurshëm. Po japim disa raste: Me i pasë në dorë = me i sundue// Faren e vet = pasardhësit e vet // hî smirë = i kishte lindur zilia //

U shtî = u maskua, alibi // Na i ká lidhë = na i ka ndaluar // I bâni zâ = e thirri // Me i dalë zot védit = për ta justifikuar veten // Perligjen dekës = nënshtrohen vdekjes // Nuk i vête vesht = nuk e ndigjonte // Per t’a mârrë në krah = kujdes për një njeri të pamundur // U suell per smrapshtit = u ba rrëmujë // Me i qitë faret = me i zhdukë krejtësisht // Me farue dhén = me zhdukë çdo gja të gjallë mbi dhe. // La gjak e gjiní = la te gjithe fare e fisin // I shtë´em në mot bukur mire = me moshë të madhe // Ju këthej buk = ju shtroj për të ngrënë // Mos e çart = mos e vrit // S pat kah me j’a mbájtë = u detyrua // Të xetë per punë = me zell në punë // Faruene = dolën fare, u eleminuan // Muerne kah shpija =u nisen për në shtëpi // I muerne kâmbë e dorë = mënyrë falënderimi // Ju vûni në shpînë = I ndoqi pas // I shkoftë gjaku giobë = i humbtë gjaku // I ngiatne torte = e zgjatën shumë // U bâ në shênd sá shtohet = u gëzua shumë // Me rob e robi = me të gjithë njerëzit e shtëpisë //Nuk po pritoj me dekë = po e pres vdekjen i qetë.

Ndër eufemizma, kemi psh: me ble fjalë= me spiunue; ku ishte ma i miri= mezgjedhë testen, etj. Mjeda mblodhi ne një rast mbi 2000 fjalë të rralla, nga një malësor i Shqipërisë së Veriut. Ato iu dogjën natën e 1-2 nëntorit 1912, së bashku me pjesën e dytë të poemthit Scodra e dorëshkrime të tjera të tij. Edhe “Historia Shejte” dallohet për shumë fjalë të rralla që përdor Mjeda, të cilat e bëjnë vëllimin të lexohet me andje: Tytë =bosh // Tbanë = arkë // Ubel = grope e madhe, që e hapin në zona malore, ku nuk ka kroje, me qellim qe te mbledhin ujin e shiut, zakonisht për bagëtinë// e gëzhitun = kallxë e thatë, vetëm me lëvore // Anasit = vendasit, etj. Mjeda njihet si studiues i zellshëm i gjuhës shqipe, si hartues i një fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, alternative e veprës së Meyerit Fjalor etimologjik i gjuhë shqipe, si hartues i një fjalori leksikologjik të gjuhës shqipe, dy vepra fondomentale të kulturës sonë, të cilat për fat të keq nuk janë zbuluar ende.

Si u hartua historia Shejte?

Sipas dokumenteve të gjetura në Vjenë, më 4 shkurt 1907, Dom Ndre Mjeda e ka dorëzuar këtu dorëshkrimin e bashkëngjitur të nji historie biblike, me lutje që t’ia paraqes Shkëlqesisë Suaj, me qellim që të disponohet shtypja e saj. (Relacion i konsullit Kral, dërguar ministrit të Jashtëm të AH Erental). Libri shkoi në shtyp më 5 korrik 1907 duke porositur 2000 kopje.

Korrektor dhe përgjegjës për klishetë e librit u ngarkua Dr.Gjegj Pekmezi i cili kishte funksione në Vjenë. Shtypja e librit zgjati dy muaj, sepse më 14 tetor 1907, Niederfer njofton marrjen në dorëzim të 2000 kopjeve të librit të saposhtypur. Më 19 tetor 1907, ky kontigjent i librit të Mjedës Historia Shejte, dërgohet në konsullatën AH në Shkodër, me anë të spedicionerit R. Perl. Më 19 tetor 1907, një kontigjent i librit të Mjedës, dërgohet në konsullatën AH në Shkodër, për t’iu shpërndarë shkolla shqipe, me anë të spedicionerit R. Perl. Shpejt u pa se kishim të bënim me një kryevepër të prozës shqiptare, e cila Brenda dy dekadave do të njohë katër botime.

Nga ndre Mjeda Pjesë nga vepra e Mjedës “Historia shenjte” përgatitur për botim nga Mentor Quku në vitin 2011

1. Të krijuemit e Rruzollimit

Në fillim Perendija krioj qiell e tokë. Toka ishte tytë (1) endè e e pasheste (2); ujnat e kishin mbëlue an’e mb’anë, e ishte krejt në terr. E Perendija tha:”Kjoftë bâ drita”; e drita u bâ. Të dyten ditë Perendija krioj kupen e qiellës, e dau rêtë prej ujnave të tokës. Të treten ditë Perendija mblodh ujnat e tokës në detna, liqêj e lumîj; e tokës, mbassi e lëshoj uji, i urdhnoj me qitë gjithë farë bimësh e pêmësh; e toka u mbush me bîmë e me pêmë gjithecilla mbas farës së vet. Të katerten ditë krioj diellin, hânen e hyjt. Të pêsten ditë krioj peshqit qi livrojnë (3) nd’ujë, e shpendtë qi fluturojnë në qiell. Të gjashten ditë i urdhnoj tokës me qitë gjithshka ká frë´më mbî faqe të sáj; e u suell (4) e ju dha bekimin m’u rritë e m’u shtue. Mbasandej Perendija krioj nierin me i pasë në dorë(5) peshqit e shpêndt’e gjithë shka ka frë´më mbî faqe të tokës. Të shtaten ditë Perendija pushoj prej punet e urdhnoj me e mbájtë at ditë gjithicilli nieri. Gjith shka âsht në rruzollim, prej Tenzot kájet’ e qândrë (6), prandaj e ka prelim (7) me e ndérue me gjith mend e me gjithë zêmrë.

2. Të krijuemit e nierit

I madhi Zot kúr desht me e bâ nierin tha: “t’a bâjmë nierin qi të na giájnë (8) né. “ Muer mandej do baltë toket, e ndertoj trupin e tij; mandej I lëshoj në ftyrë si frë´men e vet, do me thânë, shpírtin e lírë e të pámort, e nieri u godit(9). Atí nierit ja njiti Zotynë êmnin Adam, qi do me thânë i goditun prej dheut, me i ra nder mend prej shka ká dalë. Por Adami ishte i vetun; e atë herë Zotynë tha: “nuk ban me mbetë nieri i vetun, të ja bâjmë nji ndihmë në moster(10) të vet.” I çoj Adamit nji gjûmë të rândë, e në gjûmë Zotynë i hoq nji brî, e me tê ndertoj gruen. Ja qiti para Adamit, qi ta pámen((11)) i pelqej, e ja njiti êmnin Evë, qi do me thânë: nâna e gjithë të gjâllvet. E Zotynë ju dha bekimin të dyve me u shtue e me u hapë në kater anët e rrozullimit faren e vet(12), me u bâ të zotët e të gjith sêndeve. “Ndérò prinden t’ânde në daç(13) me jetue shumë permbî dhé.” (Deuteron.V.16.)

3. Mkati i të parit nieri

I madhi Zot vûni Adamin e Even në nji kopsht të kândshem fort, qi i thoshin:”Parrizi I tokës.” Bimët mâ të bukurat per të pám, e pêmët ma të shishme(14) me u hângrë, atë´ u gjîndshin. N’at kopsht Adami e Eva ishin të lumë(15), pse ishin në hír(16) të Tenzot, e Zotynë i dote porsi fmín’ e vet, e i kishte begatë me gjithë të mirat. Në mjedis të parrizit ishte nji pêmë në védi, qi neper tê me u da të mirët e të keqt. Zoti i tha prá Adamit: “Ti ké hângrë prej gjithë pêmësh, qi janë në Parrîz, por mb’at pêmë, qi âsht në mjedis të Parrîzit rueju se prekë, pse at ditë qi të hásh mbë tê, ké me dekë.” Djallit të mallkuem i kishte hî smirë(17) per Adamin e Even, qi ishin tuj gëzue gjith’ato të mira, e dote me trillue ndo’j send se si me i hupë(18). U shtî(19) pra nji ditë si gjarpen, ju avit (20) Evës, e muer e i tha: “Pse s i hani ju kokrrat e njásaj pêmë qi âsht në mjedis të Parrîzit?” Eva i pergjegji: “Zotynë na i ká lidhë (21), e me bâ me i hângrë, desim.” “Jo kurr – j’a priti gjarpni – ju s keni me dekë, por keni me i giá Atij tui ditë të mirët e të keqt.” Eva u rrêjt prej aso fjalësh, këputi pêmen e e hângri; mandej ja dha të shojt; e edhe aj hangri. Njashtû Adami dhe Eva shkapercyenë fjalen e Tenzot, e u perlyenë me mkat.

4. Ndeshkimi mkatit

Si hângerne pêmen e lidhun, Adami e Eva e pane të zezen qi kishin bâ, u kujtuenë se ishin pa veshë (22) e prej marrjet (23) e prej friget shkuene e u mshehne në shkurre të Parrîzit. Por Zotynë i bâni zâ (24) Adamit e i tha: “Adam, pse e hângre kokrren e asáj pêmë qi ta pace lidhë?” Adami, tuj u mundue me i dalë zot védit (25), pergjegji: “Grueja qi më dhae per shoqe, ma prûni e une e hângra.” “E ti si me e bâ ketë punë?” i tha Zotynë Evës. “Më rrêjti gjarpni” j’a bani ajò. Atëherë Zotynë mallkoj gjarpnin, e i bâni me dítë se nji grue do të j’a ndrydhte (26) kryet. Kjo grue âsht Zoja e bekueme e Âma e të Lumit Jezu Krisht, Shelbuesit t’onë (27). Mbasandej i tha Evës: “Kam me grumbullue mbî krye t’and ahte e të vështira: me dhîmë të trupit ke me i qitë në dritë fëmijtë e tú, e ke me kênë nen pushtedë të burrit.”

E Adamit i tha: “Kjoftë mallkue toka, per faj qi ke bâ; s ká me të qitë tjetër veç férra e rrozga, e buken t’ânde ké me e fitue me djersë të bállit, sa të jésh gjállë; e mbas deke trupi i yt ká me u bá hî e pluhun, pse pluhun ke kênë e jé.”

Mbasandej i madhi Zot i qiti Adamin e Even prej Parrîzit të tokës, e në derë të tij vûni per rojë nji Êjëll me shpatë flake në dorë, mos me i lânë me hî mbrêndë. Tuj shkapercye fjalen e Tenzot Adami e Eva buerne hírin e Zotit; e pa tê fëmija e tyne smûnden me i pelqye të madhit Zot, e do t’i perligjen dekës (28) e shum të vështirave kah shpirti e kah korpi(29). E ky â mkati i rrjedhës, qi na të gjithë léjmë me tê.

5. Kaini e Abeli

Adami pat me Even dy djelm, Kainin e Abelin. Kaini muer bulqësinë, e Abeli shkonte me Berre(30). Se i cilli kishin zakon me j’a bâ Zotit ndo’j Fli(31): por Abeli zgidhte kû ishte mâ i miri nder berre të veta e ja kushtote Tenzot; e i Lumi e pelqete dhuntin’e Abelit, por jo të Kainit, pse ishte zêmrëkeq. Kaini e shifte mirë ketë punë, e në vênd se me ecë ndréjtë kah Zoti, kaq dispjek(32) e çudë muer në të vllán sa prej idhnimit s mund të çote së´t me shikjue qiellen. E Zotynë i tha: “Kain, pse ké çudë në t’ând vëlla? A s e ké ti vetë mëndoren me punue mbar’o mbrapshtë?” Por Kaini nuk i vête vesht(33) fjalës të Zotit, e mêndime të zeza i gufoshin(34) në zêmrë. Nji ditë i thotë të vëllat: “A dalim e shetisim në fushë?” “Po dalim” i thotë aj. Por sa u larguene pak, i këcej Abelit sypri e e mbyti. Mbas asáj punë aq të mënérshme, Zotynë i bâni zâ Kainit e i tha: “Ç’ u bâ yt vëllá?” –Kaini i pergjegji: “Ç’e di une? A kam pasë per t’a mârrë në krah(35) une t’êm vëllá?” Por Zotynë j’a priti: “Ça ke ba, Kain? Gjaku i t’ând vëllá thërret gjýgj para mejet. Prandaj kjosh mallkue, e ke me shkue brue andej e këndej pa xânë vênd kerkund mbî fëtyrë të tokës.(36)”E Kaini, sa kje gjállë, shkoj tuj kerkue dhén andej e këndej e kish bjerrë uzdajen(37) se mûnd i falet faji qi kishte bâ. Por kerkush s vûni dorë në tê me e mbytë, pse Zotynë i kishte vû nji shêj e leçitë(38) mos me prekë kush. “Mkatnorët nuk kan pagj kerkûnd: zêmra e tyne âsht si deti kúr çon fortunë.” (Isai. XLVIII,22.)

  • Shënime
    1 Tytë = bosh
    2 e pasheste = e paformuar
    3 Livrojnë =lëvizin
    4 Suell = këtu: u drejtua
    5 Me i pasë në dorë = me i sundue
    6 Qândrë = këtu: qëndresë
    7 Prelim = detyre
    8 Giájnë =ngjasojnë
    9 Godit = krijua
    10 Moster = model
    11 Ta pámen = sapo e pa
    12 Faren e vet = këtu: pasardhësit e vet
    13 Në daç= po dëshirove
    14 Shishme = shijshme
    15 Lumë = lumtur
    16 Hir,i = premtim i Zotit, dhuratë nga Zoti
    17 hî smirë = i kishte lindur zilia, smira
    18 Me i hupë = për t’i humbur
    19 U shtî = u maskua
    20 Ju avit = i u afrua
    21 Na i ká lidhë = na i ka ndaluar
    22 Pa veshë = pa rroba në trup, ishin lakuriq
    23 Marre = turp
    24 I bâni zâ = e thirri
    25 Me i dalë zot védit = për ta justifikuar veten
    26 Ndrydhte =shtypte
    27 Shelbuesit t’onë = shpëtimtarit tonë
    28 Perligjen dekës = nënshtrohen vdekjes
    29 Korpi =trupi
    30 Berre = dele
    31 Fli = kurban, therore
    32 Dispjek = dëshprim
    33 Nuk i vête vesht = nuk e ndigjonte
    34 Gufoshin = fryheshin, shpërthenin
    35 Per t’a mârrë në krah = kujdes për një njeri të pamundur
    36 Fëtyrë të tokës = sipërfaqe të tokës
    37 bjerrë uzdajen = humbë shpresën
    38 Lecitë =urdhëruar

/Shqiptarja/