Site icon Telegrafi

VENDLINDJA E NËNËS

Poezi nga: Frederik Rreshpja

Atje hëna ngre shkallë drite mbi gremina,
Atje ngjitet zemra ime,
Bërë prej druri të lahutës.

Atje kam një degë lisi,
Torbën e këngëve të mia.
Stapi në udhë më humbi,
Dhe lulëzoi pranë një përroi.

Pashë fëmininë e nënës sime
Ruajtur në pasqyre krojesh,
Këngët e rinisë së saj,
Shndërruar tashmë në erë.

Exit mobile version