Vdiq ikona e liberalizmit amerikan
Vdekja e senatorit Ted Kenedi, trashëgimtarit të një dinastie të fuqishme politike, përfundoi edhe epokën e ndritshme të një kapitulli të rëndësishëm në historinë e Amerikës. Flamujt qëndruan në gjysmështizë në Kapitol Hill, Uashington dhe gjithandej Amerikës, në shenjë nderimi për njërën nga figurat më të spikatura të politikës amerikane, senatorin më të devotshëm në këto 50 vitet e fundit. Esenca politike e Ted Kenedit ishte kristalizuar nga senatori Lamar Alexander, i cili e karakterizoi Kenedin si njërin ndër senatorët më konstruktivë të Senatit.
Ted ishte fëmija i nëntë i Josef P. and Rosa Fitzgerald Kenedi. Rrjedhë nga një familje e pasur irlandeze-amerikane me tradita të pasura politike e kombëtare. Familja e tij, gjyshi dhe babai kishin një pasuri të madhe dhe ishin të orientuar në politikë qysh herët. Gjyshi i tij Xhon, ishte major i Bostonit, po ashtu njëri ndër ligjvënësit e njohur të Masaqusetit. Si fëmijë ishte rritur në ambient ku politika ishte art i familjes. U shkollua në shkollat më të mira në Amerikë si në Harvard e Virgjinia. U zgjodh senator më 1963, në zgjedhjet e parakohshme, në një moshë të re vetëm 28 vjeçe, duke e zënë vendin e të vëllait John Kenedit, që po ashtu ishte njëra ndër figurat më markante të politikës amerikane të kohës, i cili sapo ishte zgjedhur president i Amerikës. Ishte rizgjedhur senator edhe tetë herë të tjera, duke u bërë njëri ndër senatorët që shërbeu më së gjati në Senatin Amerikan.
Shpirti human i Tedit do të shohë shumë tragjedi familjare dhe do të kalojë nëpër shumë dhimbje të paimagjinueshme, që nuk ishte lehtë të përballoheshin .Vëllai i madh i Tedit, Jo Jr. u vra në Luftën e Dytë Botërore. Ai i humbi edhe dy vëllezërit që u vranë nga atentatorët: John Kenedin, që ishte njëri nga presidentët më të zotë të Amerikës dhe Robertin që ishte Prokuror i Përgjithshëm gjatë viteve 1961-1964 dhe senator i Nju Jorkut (1965-1968). Tragjedia e familjes Kenedi nuk përfundon me vrasjet e dy djemve më të mirë të tyre dhe politikanëve më të fuqishëm të Amerikës. Kathleen Kenedi vdiq nga rrëzimi i aeroplanit. Gjithashtu të njëjtin fat e pësoi edhe djali i ish-presidentit Kenedi, John Jr., i cili po ashtu vdiq nga rrëzimi i aeroplanit privat më 1999. Vet Tedi i shpëtoi një aksidenti përderisa aeroplani me të cilin po udhëtonte u rrëzua, duke e aksidentuar atë rëndë dhe duke e mbytur pilotin dhe një ndihmës të tij.
Nëpër vuajtjet e veta ai jetoi me gjallërimin për të ardhmen, për një Amerikë çfarë e donin vëllezërit e tij, duke u bërë zëri kumbues i vuajtjeve të të tjerëve. Atë përpos hijes së zezë të vdekjeve tragjike të vëllezërve e anëtarëve tjerë të familjes, që e ndiqte kurdo e kudo, tërë jetën e ndjeku edhe hija e zezë e aktivistes së fushatës zgjedhore të Kenedit, Mary Jo Kopechan, e cila u mbyt pasi që makina e Tedit u rrokullis nga ura në lum, derisa po ktheheshin një natë të vone nga një mbledhje ku po përgatitej fushata politike për rizgjedhjen e Tedit. Ky do të ishte edhe shkaku kryesor që ai do t’i humbte zgjedhjet presidenciale më 1980.
Rekordi i fuqishëm legjislativ ishte ndërtuar prej vet punës se tij titanike 47 vjeçare si njëri ndër senatorët më produktivë të Senatit në shërbim të Amerikës, kurse qëndrimi dhe formimi i tij politik prej një liberali të paluhatshëm ishte trashëgimi nga familja e tij e famshme. Reforma mbi shërbimet shëndetësore ishte fushëbeteja e tij që i dha atij kurajë e forcë, duke e bërë atë kampion të palodhur dhe zërin më të fuqishëm për të drejtat civile, kujdesin shëndetësor universal për të gjithë amerikanët. Ai kishte dy cilësi të rralla në jetën politike të vendit - simbol i liberalizmit në një epokë konservative me ndikim si dhe një legjislator pragmatik në një periudhë politike të polarizuar, që e bënë atë të mbahet mend gjatë. Luani i Senatit, siç quhej shpesh nga kolegët e tij, gjatë karrierës së tij të bujshme politike miratoi mbi një mijë ligje dhe ishte autor i hartimit të më shumë se treqind të tjerave.
Pozicioni i tij prej liberali e bëri atë të ketë shumë kundërshtime në Senat nga konservatorët dhe një pjesë e republikanëve, duke u përplasur shpeshherë me ta rreth çështjeve kyçe që kishin rol të veçantë në zhvillimet historike të vendit, por ai posedonte një oratori të fuqishme dhe armën e kompromisit, kështu që i tejkalonte këto pengesa, duke vënë balancën për mrekulli.
Sikurse vëllai i tij Roberti edhe Ted e kundërshtoi luftën e Vietnamit e më pas edhe atë në Irak që, siç deklaroi ai shpeshherë gjatë prononcimeve për media, ishte vota më e drejtë dhe më me vend gjatë tërë karrierës së tij.
Ted Kenedi njihet si politikan i principeve që asnjëherë nuk i ndërroi ato, as nuk bëri kompromis edhe pse nganjëherë i ndërroi taktikat.
Vitin e kaluar në Konventën e Partisë Demokratike, Ted Kenedi përkrahu kandidatin për president Barak Obamën, duke e cilësuar atë si shpresë të re, si një lider që është i përgatitur për sfidat me të cilat po përballet vendi.
Sipas analistëve, përkrahja e pa rezervë e Ted Kenedit ndaj kandidatit për president Obama, ishte një mesazh i fuqishëm për popullin amerikan dhe për politikën amerikane. Ajo përkrahje ishte pothuajse vendimtare që Obama t’i arrijë majat më të larta të suksesit të tij politik, duke u bërë president i Amerikës.
Familja Kenedi është inspirim i gjeneratave të reja dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e politikës amerikane.
Senator Ted Kenedi është varrosur të shtunën në Varrezat Nacionale në Arlington, jo larg Shtëpisë së Bardhë, në mes të dy vëllezërve të tij John dhe Robert Kenedi. Qindra mijëra njerëz kishin dalë rrugëve për t’i dhënë lamtumirën e fundit Tedit. Qindra mijëra të tjerë ishin tubuar në shkallët e Shtëpisë së Bardhë dhe jashtë ambienteve të saj për të përshëndetur për herë të fundit kolosin e fundit të vëllezërve Kenedi.
Figurat më të larta shtetërore, përfshi edhe katër presidentët e fundit, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të tij.
Ceremonia nga Shtëpia e Bardhë deri tek Varrezat Nacionale ndoqi të njëjtën rrugë sikurse edhe për ish-presidentin Xhon Kenedi më 1963. Garda e Nderit, e përbërë nga pjesëtarët e të gjitha degëve të forcave të armatosura zbrazi 21 rafalë.
Ceremonia e varrimit të tij ishte një ceremoni varrimi e presidentëve.
Ted Kenedi ishte mik i madh i komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai i mbështeti fuqishëm përpjekjet e Kosovës për ta fituar lirinë.
















































