Manchester Unitedi e ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër të Ligës së Evropës, pas fitores (3-0) ndaj rivalit të drejtpërdrejtë, Sheriff Tiraspol.
Një harkim nga këndi të Christian Eriksen e shfrytëzoi për mrekulli Diogo Dalot duke e realizuar golin e epërsisë në fund të pjesës së parë (44’).
Goli i dytë erdhi nga një aksion i mirë i Djajve të Kuq, të cilin e konkretizoi Marcus Rashford pas harkimit final nga Luke Shaw (65’).
Nuk mund të mungonte goli i Cristiano Ronaldos, i cili deshi të shënonte me çdo kusht dhe ia doli. Superylli portugez e goditi me kokë pas një harkimi në zonë dhe pasi portieri kundërshtar e priti goditjen, ai reagoi sërish për të realizuar (81’).
Pas kësaj fitoreje, Manchester Unitedi ngritet në kuotën e 12 pikëve dhe siguron matematikisht pozitën e dytë në Grupin E.
Skuadra angleze ka tri pikë më pak se lideri Real Sociedad ndaj të cilit e zhvillon sfidën e fundit dhe me fitore eventuale me më shumë se dy gola epërsi do ta rrëmbejë vendin e parë. /Telegrafi/