Trupat ruse kanë lehtësuar përkohësisht sulmet brenda dhe rreth qytetit të rrethuar lindor të Ukrainës, Bakhmut, për t’u rigrupuar dhe forcuar kapacitetet e tyre, tha të shtunën një zyrtare e lartë e Kievit.
Krahas kësaj, zyrtarë të lartë ukrainas treguan se forcat e tyre ishin gati për të nisur një kundërofensivë të paralajmëruar prej kohësh për të çliruar territorin e marrë nga Rusia që nga fillimi i luftës, transmeton Telegrafi.
Grupi mercenar rus Wagner filloi t’ua dorëzojë pozicionet trupave të rregullt këtë javë pasi pretendoi kontrollin e plotë të Bakhmutit pas betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës.
Megjithatë, Kievi thotë se forcat e saj ende kontrollojnë një pjesë të vogël të qytetit.
Në një deklaratë në Telegram, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se trupat ruse po vazhdonin të sulmonin, por se aktiviteti i përgjithshëm sulmues kishte rënë.
“Dje dhe sot nuk ka pasur asnjë betejë aktive – as në qytet dhe as në skaje”, shkroi ajo, duke shtuar se trupat e Moskës po bombardonin periferi dhe zonat afër drejt Bakhmutit.
“Trupat (ruse) po zëvendësohen dhe rigrupohen”, tha Maliar. “Armiku po përpiqet të forcojë aftësitë e veta”.
Kyiv pritet të nisë së shpejti një kundërofensivë të shumëpritur për të çliruar territorin e pushtuar nga Rusia. /Telegrafi/