Ndërkohë, individët që kërkojnë punë, e duhet të plotësojnë 4 kritere, janë kategorizuar në tri grupe; punëkërkues që përfitojnë ndihmë ekonomike, pagesë papunësie dhe punëkërkues të papunë që nuk përfitojnë nga programet e mbështetjes ekonomike.

Çdo person, që jeton në Republikën e Shqipërisë dhe kërkon të regjistrohet si punëkërkues, duhet të drejtohet në zyrën përkatëse të punësimit. Zyra regjistron si punëkërkues personat që janë në moshë pune; paraqiten personalisht me një dokument identifikimi; kërkojnë punë dhe janë të aftë e të gatshëm për punë. Ndërkohë, sipas udhëzimit, personat që deklarojnë se nuk janë në marrëdhënie pune apo të vetëpunësuar, duhet të çojnë në zyrën e punësimit librezën e punës. Si kërkues pune me status “Punëkërkues” mund të regjistrohen në zyrën e punësimit edhe studentët, që vazhdojnë studimet, të cilët u drejtohen zyrave të punësimit për të kërkuar një punë me kohë të pjesshme.


Zyra e punësimit planifikon një intervistë të plotë regjistrimi për vlerësimin e punëkërkuesit, përcaktimin e profilit të tij, nevojën për shërbime dhe planin e veprimeve për punësim. Në sistemin e shërbimeve të punësimit dhe në formularin standard për regjistrimin e punëkërkuesit regjistrohen të dhënat e identitetit të punëkërkuesit dhe informacioni për aftësitë, njohuritë, kompetencat, aktivitetin e kërkimit të punës, motivimin për punë dhe pritshmërinë për punësim në tregun aktual të punës.

“Punëkërkuesi i regjistruar firmos formularin e regjistrimit për të konfirmuar vërtetësinë e deklarimit dhe për të lejuar zyrën e punësimit të përpunojë dhe përdorë të dhënat e deklaruara”, citon udhëzimi. Ndërkohë, pas regjistrimit, personi mban statusin “Punëkërkues” dhe zyra e punësimit vendos për dhënin e statusit “Punëkërkues i papunë” brenda një muaji kalendarik, nga data e paraqitjes së tij për intervistën e plotë të regjistrimit, pasi verifikon deklarimin e tij si punëkërkues dhe gjendjen e punësimit në regjistrin e organeve tatimore. Dhënia e statusit “Punëkërkues i papunë” regjistrohet në sistemin e shërbimeve të punësimit dhe në formularin e punëkërkuesit. Punëkërkuesi, me këtë status në sistem, mund të verifikohet drejtpërdrejt nga institucionet e tjera, të lidhura me sistemin e shërbimeve të punësimit. /Telegrafi/