Site icon Telegrafi

Turqia tokë e bekuar për futbollistët shqiptarë, 17 prej tyre pjesë e Superligës – numri pritet të rritet ndjeshëm deri në fund të muajit

“Turqia dhe Kosova janë pothuajse të njëjta. Kështu që unë e shijoj kohën time këtu. Kemi edhe byrekë. Në qytetin nga vij unë, ne e duam çajin. Ka shumë aspekte të përbashkëta si ky mes dy vendeve” u shpreh Milot Rashica në prezantimin e tij te Besiktas.

E ngjashmëria mes dy vendeve dhe kulturat që kanë dy popujt duket se po i bindin futbollistët shqiptarë të transferohen në klube turke.

Nga 20 klube që janë pjesë e Superligës së Turqisë, në 50 për qind prej tyre ka futbollistë shqiptarë.

Milot Rashica është futbollisti i fundit që ka bërë transferim këtë verë në Turqi, në fakt është rikthim për vushtrriasin në Stamboll pasi vitin e kaluar luajti për Galatasarayn.

Lexo po ashtu “Turqia dhe Kosova pothuajse të njëjta, festoj me shqiponjë pasi është simbol i shqiptarëve” - Rashica flet si lojtar i Besiktasit

Rikthim në Turqi bëri edhe Zymer Bytyqi që iu bashkua Antalyasporit nga Olympiacos, derisa për herë të parë në tokën turke do të bëjnë karrierë edhe Fidan Aliti, Visar Bekaj, Frederik Veseli dhe Altin Zeqiri.

17 futbollistë shqiptarë pjesë e Superligë së Turqisë, më së shumti në Stamboll

Deri më tani kur u zhvillua xhiro e parë në elitën e futbollit turk, janë plotë 17 futbollistë shqiptarë të shpërndarë në 10 klube elitare turke.

Padyshim që Stambolli është qyteti më i populluar nga futbollistët shqiptarë pasi janë plot shtatë futbollistë të shpërndarë në tre klube.

Milot Rashica është pjesë e Besiktas, Ibrahim Dresevic dhe Frederik Veseli te Fatih Karagumruk, derisa pjesë e Istanbulspor janë Florian Loshaj, Jetmir Topalli, Eduart Rroca dhe Valon Ethemi.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Shqiptarët nëpër botë

Edhe në bregdet është një numër i madh i futbollistëve shqiptarë te dy skuadrat Antalyaspor dhe Alanyaspor.

Te të dy skuadrat janë katër reprezentuesit kosovarë, Zymer Bytyqi e Amar Gërxhali në Antalya derisa Florent Hadërgjonaj dhe Fidan Aliti këtë vit u bashkuan me Alanyasporin.

Visar Bekaj ka bërë hapin e madh në karrierë dhe është transferuar te Hatayspor nga Tirana, derisa Valmir Veliu mbetet pjesë e Gaziantep.

Lexo po ashtu Hadergjonaj prezantohet zyrtarisht te Alanyaspor

Enis Bardhi vazhdon të jetë pjesë e Trabzonsporit, derisa në Konyaspor është rikthyer Sokol Cikalleshi pas aventurës arabe për një edicion.

Ndërkohë në Rizespor janë mesfushori shqiptar Enriko Papa dhe talenti kosovar Altin Zeqiri për të cilin është hera e parë që luan në futbollin turk.

Rikthimi i Bytyqit pas gjashtë muajsh në futbollin turk: Të gjithë futbollistët shqiptarë janë të kënaqur 

Zymer Bytyqi qëndroi për dy vite te Konyaspor dhe në janar u largua për t’iu bashkuar gjigantit grek Olympiacos FC.

Pas një periudhe jo të mirë në Greqi, Bytyqi kishte shumë oferta nga Turqia për tu rikthyer në Superligë dhe zgjodhi t’i bashkohet Antalyasporit pas insistimit të trajnerit Nuri Sahin.

Ai u kërkua edhe nga Gaziantep, Rizespor e Istanbul Basaksehir në Turqi, derisa kishte oferta nga Standar Liegge në Belgjikë e disa skuadra polake, por insistimi i Sahin bëri që ta zgjedhë Antalyasporin.

Lexo po ashtu Zyrtare: Zymer Bytyqi kompleton transferimin te Antalyaspor

Në një prononcim për Telegrafin, Bytyqi flet për jetën në Turqi dhe arsyen se pse futbollistët shqiptarë zgjedhin të luajnë në këtë kampionat.

“Fillimisht dua të them se gjatë gjashtë muajve të kaluara në Greqi më mungoi futbolli turk. Vërtetë është një kampionat ku çdo vit ka rritje dhe e shohim mirë se sa yje nga top klubet evropiane kanë zbarkuar në Superligën e Turqisë”.

“Niveli është shumë i lartë dhe ka shumë skuadra të mira dhe të organizuara. Thuajse secila skuadër ka qendër stërvitore ku janë kushtet më të mira të mundshme”, tha fillimisht Bytyqi.

Ai mendon se mentaliteti i njëjtë që kanë shqiptarët me turqit dhe tradita e ushqimi janë disa nga faktorët që bëjnë futbollistët shqiptarë të zgjedhin Turqinë si destinacion.

“Kemi shumë ngjashmëri dy popujt mes vete. Shumë tradita kemi të njëjta, por edhe ushqimi është thuajse i njëjtë si në Kosovë. Nuk e përjashtohet edhe çështjen e pagesave që paguhet mirë në Turqi dhe gjitha këto janë faktorë të rëndësishëm që futbollistët shqiptarë të zgjedhin klubet turke”, deklaroi Bytyqi.

Ai thotë se është kënaqësi kur luan kundër bashkëkombëseve të tij dhe gjithmonë bisedojnë para ose pas ndeshjeve.

“Sigurisht që para se të futemi në lojë qëndrojmë së bashku pyesim njëri tjetrin për jetën dhe futbollin, por edhe pas ndeshjeve shpesh herë rrimë së bashku. Ndodh shpesh që takohemi në qytet kur kemi kohë të lirë me futbollistët nga klubet rivale pasi ne jemi shokë të mirë”, u shpreh Bytyqi për Telegrafin.

Numri mund të rritet edhe më shumë, pasi shumë emra janë lakuar për tu transferuar në Turqi

Aktualisht janë 17 futbollistë shqiptarë në elitën e futbollit turk, por ky numër mund të rritet deri në fund të afatit kalimtar veror.

Shumë emra të futbollistëve shqiptarë janë përfolur se mund të kryejnë një transferim në skuadrat turke.

Portieri i Kosovës, Arijanet Muric është shumë pranë transferimit te gjiganti nga Stambolli, Fenerbahce që tanimë janë në bisedime me Burnleyn.

Lexo po ashtu Fenerbahce në bisedime me menaxherin, dëshiron transferimin e Aro Muric

Karrierën në Turqi mund ta vazhdoj edhe Endri Çekiçi ku pas largimit nga Konyaspor është në bisedime me Rizesporin.

Në elitën e futbollit turk mund të rikthehet edhe mesfushori i Kosovës, Herolind Shala pasi skuadrat si Samsunspor e Ankaragucu kanë shprehur interesim për transferimin e tij.

Ylli i Ballkanit, Meriton Korenica gjithashtu mund ta bëj hapin e madh në karrierë duke u transferuar në elitën e futbollit turk, pasi ekipet si Konyaspor e Hatayspor e pëlqejnë magjistarin e kampionit në fuqi të Kosovës.

Fenerbahces mund t’i bashkohet edhe Mërgim Vojvoda, pasi klubi nga Stambolli ka shfaqur interesim për të.

Ndërkohë në Turqi mund ta shohim duke u rikthyer edhe Bersant Celinën, me ish-skuadrën e tij Kasimpasan që po tenton rikthimin e tij në Stamboll. /Telegrafi/

Futbollistët shqiptarë në Turqi:

Milot Rashica (Besiktas)

Enis Bardhi (Trabzonspor)


Florent Hadergjonaj (Alanyaspor)


Fidan Aliti (Alanyaspor)


Amar Gërxhaliu (Antalyaspor)


Zymer Bytyqi (Antalyaspor)


Sokol Cikalleshi (Konyaspor)


Visar Bekaj (Hatayspor)


Valmir Veliu (Gaziantep)


Frederik Veseli (Fatih Karagumruk)


Ibrahim Dresevic (Fatih Karagumruk)


Altin Zeqiri (Rizespor)


Enriko Papa (Rizespor)


Florian Loshaj (Istanbulspor)


Eduart Rroca (Istanbulspor)


Valon Ethemi (Istanbulspor)


Jetmir Topalli (Istanbulspor)

Exit mobile version