Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të përdorë Departamentin e tij të Luftës të sapoemëruar në Chicago, duke rritur më tej tensionet mbi përpjekjen e tij për të vendosur trupa në qytetet amerikane të udhëhequra nga demokratët.

Ky veprim synon të përsërisë një operacion në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington, ku Trump vendosi trupa të Gardës Kombëtare dhe rriti numrin e agjentëve federalë, duke shkaktuar një reagim të ashpër dhe një protestë të re që tërhoqi mijëra njerëz.


"Chicago së shpejti do ta zbulojë pse quhet Departamenti i Luftës", shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth.

Guvernatori demokrat i Illinois, shprehu zemërim ndaj njoftimit të Trumpit, shkruan AP.

"Presidenti i SHBA-së po kërcënon me luftë një vend amerikan. Kjo nuk është shaka. Kjo nuk është normale", tha JB Pritzker.

Postimi i Trumpit përmban një imazh të tij, me sa duket të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, dhe citatin: "Më pëlqen aroma e deportimeve në mëngjes" - një referencë për filmin e Luftës së Vietnamit të vitit 1979, Apocalypse Now.

Ndryshe, përveç Chicagos, Trump ka kërcënuar të rrisë numrin e trupave në Baltimore dhe New Orleans, të cilat drejtohen nga demokratët.

Ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që riemërton Departamentin e Mbrojtjes në Departamentin e Luftës, duke thënë se i dërgon një "mesazh fitoreje" botës. /Telegrafi/