Presidenti amerikan, Donald Trump është përfshirë sërish në një polemikë të re, pas një daljeje publike në Kerr County, Teksas – një nga zonat më të goditura nga përmbytjet shkatërruese që goditën shtetin një javë më parë. Vizita e tij, që pritej të ishte një moment solidariteti me komunitetin e dëmtuar, u kthye në një tjetër rast të debatueshëm për shkak të sjelljes ndaj një gazetari.

Gjatë konferencës për shtyp, një reporter e pyeti liderin amerikan për kritikat mbi mënyrën si u menaxhua situata emergjente, dhe në veçanti për vonesat në paralajmërimet ndaj popullatës, që sipas disa burimeve, mund të kishin shpëtuar jetë.


Reagimi i Trump ishte i menjëhershëm dhe i ashpër “vetëm një person i keq do të bënte një pyetje të tillë, për të qenë i sinqertë me ju. Nuk e di kush jeni, por vetëm një person shumë i lig do të bënte një pyetje të tillë,” u shpreh ai me ton të zemëruar, duke shmangur çdo përgjigje konkrete ndaj pyetjes së gazetarit.

Në vend që të ofronte ndjesë ose reflektim mbi çështjen, Trump vlerësoi reagimin e autoriteteve lokale dhe federale, duke thënë se “të gjithë bënë një punë të jashtëzakonshme. Nuk mund të ishte menaxhuar më mirë”.

Ky moment ka shkaktuar reagime të forta në media dhe opinionin publik amerikan. Komentues dhe analistë e kanë quajtur reagimin e Trump si "të turpshëm" dhe një tjetër dëshmi e mungesës së përgjegjësisë nga ana e tij.

Kritikat janë përqendruar jo vetëm te mungesa e ndjeshmërisë ndaj viktimave, por edhe te përpjekja për të shmangur çdo lloj përgjegjësie apo diskutimi të ndershëm për mangësitë në menaxhimin e krizës.

Shumë e shohin këtë si një tjetër moment zhgënjyes, ku në vend që të tregonte lidership dhe bashkëndjesi me ata që kanë humbur gjithçka, Trump zgjodhi konfrontimin dhe vetëlavdërimin. /Telegrafi/