Trump për sulmin ndaj anijes venezueliane: E paligjshme është droga, jo ai sulm

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dje u përpoq të justifikonte sulmin e SHBA-së ndaj një anijeje venezueliane duke thënë se 300 milionë njerëz, me sa duket duke iu referuar amerikanëve, vdiqën nga droga vitin e kaluar.
Më parë këtë muaj, le të kujtojmë, Trump urdhëroi ushtrinë të shkatërronte një anije venezueliane të dyshuar për transportimin e drogës në SHBA, duke vrarë 11 persona.
Ky veprim shkaktoi kritika nga të dyja anët e spektrit politik, shkruajnë mediat e huaja.
"Mendoj se ndoshta kishim informacion të saktë, kapëm të këqijtë, por... nuk është politika jonë të hedhim në erë njerëz", tha senatori republikan Rand Paul pas sulmit, sipas HuffPost.
Trump u pyet dje në lidhje me pretendimet se sulmi ishte i paligjshëm.
"Ajo që është e paligjshme është droga që ishte në anije, droga që po transportohet në vendin tonë dhe fakti që 300 milionë njerëz vdiqën vitin e kaluar nga droga - kjo është ajo që është e paligjshme", tha Trump.
Reporter: The president of Venezuela called the strike on the boat illegal
Trump: What’s illegal is the fact that 300 million people died last year from drugs pic.twitter.com/ZjU0Fxmsky
— Acyn (@Acyn) September 14, 2025
Ndryshe, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth 75,000 njerëz vdiqën nga mbidoza e drogës vitin e kaluar.
Kjo është një rënie krahasuar me vitet e kaluara; më shumë se 110,000 njerëz vdiqën në vitin 2023.
Në nivel global, rreth 600,000 njerëz vdesin çdo vit nga përdorimi i drogës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që është vetëm 0.2% e shifrës që përmendi Trump. /Telegrafi/


















































