LAJMI I FUNDIT:

“Tradhtar, spiun, hajn, zhvatës, kriminel…”, periudha parazgjedhore ashpërson retorikën e fyerjeve dhe akuzave mes rivalëve politikë

“Tradhtar, spiun, hajn, zhvatës, kriminel…”, periudha parazgjedhore ashpërson retorikën e fyerjeve dhe akuzave mes rivalëve politikë
Foto ilustrim

Sa më shumë që avitet koha e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë aq më shumë egërsohet diskursi në skenën politike. Doza e fyerjeve, etiketimeve dhe akuzave mes rivalëve politikë ka arritur në nivelin ku politikanët nuk kursehen më nga përdorimi i shprehjeve: “tradhtar”, “spiun i Serbisë”, “hajn i taksave të qytetarëve”, “zhvatës”, “kriminel”, e çka jo tjetër. 

Që gati katër vite prej kur Qeveria Kurti mori pushtetin nuk është se nuk ka pasur fjalë të rënda nga opozita ndaj pushtetit dhe anasjelltas, megjithatë një gjuhë më e vrazhdë është shfaqur rishtazi duke e vënë në pah një anë tjetër të betejës politike para zgjedhjeve.

Kjo gjuhë u shpërfaq më së shumti në dy seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, të cilat u thirrën nga opozita e u bojkotuan nga pozita. Foltorja në sallën kryesore të Kuvendit u përdor dy herë radhazi që opozitarët të përdorin retorikë të ashpër pa praninë e kabinetit qeveritar. Gjuhë e njëjtë u has në vazhdimësi qoftë përmes konferencave, publikimeve në rrjete sociale, dhe jo vetëm.


Nga aty buçuan deklaratat e deputeteve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që nisën prej akuzave ndaj kryeministrit Albin Kurti si ‘spiun i Serbisë’ e deri te ato që i njëjti po i gëzohet fatkeqësisë që ka ndodhur me vërshimet në Skenderaj.

Fjalët nuk mbetën brenda mureve të Kuvendit për shkak se seancat ishin në transmetim të drejtpërdrejtë. Mirëpo, në mungesë të pranisë së pozitës në seanca, deputetët e pozitës përdorën Facebookun si platformë për t’u kundërpërgjigjur me pothuajse të njëjtën gjuhë.

“Po është spiun i Serbisë, është tradhtar ai njeri që e lë pa bukë ushtrinë e vet. Pse po i ndodh këtij, dhe nuk i ndodhi dikujt tjetër gjatë ekzistencës sonë që 20 vjet”, tha kreu i AAK-së Ramush Haradinaj për Kurtin gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 14.10.2024.

“Si konsekuencë e kësaj kulture, të urrejtjes që keni instaluar, e pamë të njëjtin reagim edhe kur u përmbyt Skenderaj nga uji, deri të lutja që të mbyten të gjithë. E kush? Drenica dhe Prekazi i familjes Jashari”, tha deputeti i PDK-së Hisen Berisha në seancën e 17 tetorit.

“Kjo përpjekje për të abuzuar ose për të vjedhë edhe në kafshatën e gojës u bë publike, d.m.th buka e gojës së ushtarëve tanë, ju mbeti në fyt hajnave të kësaj qeverie” – ka deklaruar deputeti i LDK-së Driton Selmanaj gjatë të njëjtës seancë.

Mefail Bajçinovci, një prej deputetëve të partisë në pushtet, LVV-së, përmes një postimi në Facebook iu kundërpërgjigj opozitës se “tashmë është e qartë se opozita në Kosovë dhe Vuçiqi po ndjekin të njëjtën linjë në sulmet kundër Kryeministrit Albin Kurti”.

“Çka është edhe më shqetësuese është se qëndrimet e opozitës nuk dallojnë shumë nga retorika që vjen nga Beogradi, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështjet e veriut të Kosovës”- shkruajti ai.

Të dy këto seanca u thirrën në një kohë që pati përplasje politike në lidhje me ushqimin për ushtarët e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe me komunikimin që kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila pretendohet ta ketë pasur me Milan Radoiçiqin, njeriun që kërkohet nga drejtësia kosovare për sulmin terrorist në Banjskë e që është edhe në listën e zezë amerikane.

Skema e kundërshtive politike – një gur për dy zogj

Lindita Tahiri, profesoreshë universitare e komunikimit masiv dhe analizës së diskursit në Universitetin e Prishtinës vlerëson se një diskurs i këtillë zakonisht përdoret në kohën e fushatave për të nxitur më shumë emocionet se sa arsyen e votuesit.

Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025.

Tahiri thotë se një nga skemat kryesore të cilat i shfaq ky lloj ligjërimi është skema e kundërshtive, si: spiun-patriot, hajn – i ndershëm, tradhtar-atdhetar, e të ngjashme.

“Skema e kundërshtive e nxit polarizimin ku qytetari, e në këtë rast votuesi, përcaktohet ta përkrahë ‘të mirin’ kundër ‘të keqit’”, tha Tahiri.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu kishte thënë gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës që “kryeministri Kurti deshi të imitojë Zelenskyyn (president i Ukrainës), por se arriti për shkak të hajnisë”.

Kjo gjuhë akuzuese u kthye njësoj nga pozita. Për shkak të mospranisë në seancë, deputeti i LVV-së, Salih Zyba kundërpërgjigjen Haxhiut ia dha përmes Facebook-ut, ku e krahasoi këtë deklaratë me atë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte thënë se: “Kurti ëndërron ta veshë uniformën dhe të bëhet Zelenskyy i i ri”. Këto dyja bashkë Zyba i cilësoi si “përputhje absolute”.

Megjithatë, profesoresha Tahiri e cila ka përvojë të gjatë në trajtimin e këtij segmenti thotë se si strategji, kjo skemë ka pasur sukses përgjatë historisë, duke kujtuar diskursin e përdoruar gjatë nazizmit.

Si rrjedhojë dhe pasojë, se mendimi skematik nxit trularje dhe e pengon argumentimin dhe diskutimin e arsyeshëm, thotë ajo.

Në botëkuptimin e saj, qytetari duhet të jetë i mirëinformuar me fakte dhe informata në mënyrë që të marrë vendimin e duhur, dhe e kundërta e saj lë gjumë të pakëndshme.

“Pasojat nga ky lloj ligjërimi janë vendimet jo gjithmonë të duhura për ata të cilët na përfaqësojnë dhe e përcaktojnë jetën dhe ardhmërinë tonë”, shprehet ajo.

Tahiri shton se ky lloj diskurs nuk është tipik vetëm për ambientin kosovar, por se si strategji politike është e njohur.

Megjithatë, ajo nuk e arsyeton një gjë të tillë, duke shtuar se gjuha e tillë gjen tokë më të plleshme në disa mjedise ku nuk kultivohet mendimi kritik dhe ku nuk është i zhvilluar debati e diskutimi.

Nuk ka kulm ku ndalet gjuha e ashpër

Gjuha e opozitës karshi pozitës që nga kryeministri Albin Kurti e të tjerët nën nivelin e tij u cilësua si ‘luftë hibride’.

“Përshtypja ime është tash do intesifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës e në veçanti kundër Qeverisë sonë, kundër grupit tonë parlamentar dhe kundër shefes së Grupit Parlamentar”, tha Kurti pas mbledhjes së Qeverisë më 09.10.2024.

Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin e Agder në Norvegji beson që gjuha në sferën politike është ashpërsuar dhe është theksuar sulmi ndaj kundërshtarëve politikë së fundmi pikërisht si fazë e parafushatës.

Duke e quajtur fatkeqësi, Hoxha thotë se nuk ka një kulm ku do të përfundonte një gjuhë të tillë.

Lidershipi politik është shumë kreativ në gjetjen e terminologjisë për t’u shprehur, thotë ai, edhe pse kjo terminologji mund të jetë tërësisht e gabueshme sikur që është rasti me përdorimin e “luftës hibride” apo të tjera mënyra të komunikimit.

“Pra, lajmi i keq është se do të ketë edhe më shumë gjuhë të tillë deri në gjuhë vulgare, të urrejtjes dhe tjera forma të shprehjes që nuk do të duhej të jenë pjesë e komunikimit publik”, tha Hoxha.

Në analizën e tij, kjo gjuhë që ndërton një narracion vazhdues për partinë në pushtet nga zgjedhjet e kaluara, është tentativë që të fshihet dështimi në arritjen e premtimeve dhe realizimin e planeve elektorale për mandatin që tani po përfundon.

Ai fajin nuk ia lë opozitës, sepse beson që e njëjta ka patur duart e lidhura për shkak të mungesës së fuqisë politike për të vepruar dhe më tutje. “I takon partive qeveritare të realizojnë planprogramin i cili në Kosovë, ka dështime të mëdha në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe fusha tjera”, thotë Hoxha.

Megjithatë, nga cilado anë që vjen, këtë gjuhë ai e quan si të gabuar. Por, sipas tij, është e shpjegueshme se si funksionon populizmi në kontekstin kosovar i cili ka “një dozë të lartë nacionalizmi, fajësimi të tejzgjatur dhe gjuhë të ashpër që prodhon euro-skepticizëm dhe polarizim të skajshëm brenda trupit elektoral por edhe ndërmjet diasporës dhe votuesve brenda Kosovës”.

“Kjo bëhet me qëllim rekrutimi dhe mobilizimi të votuesve që përgjithësisht janë të prirur t’i besojnë narrativave të tilla që fajësojnë tjetrin për dështimet, por gjithashtu nuk shohin problemet praktike për shembull në shëndetësi apo arsim, sepse një pjesë e madhe e këtyre votuesve kanë një jetë në diasporë”, shton ai.

Gjuha e ashpër për konsum të masave

Diskursi politik besohet se ndryshon varësisht momentumeve politike, si në rast zgjedhjesh apo procesesh të rëndësishme politike, ashtu se qysh e shohin të përshtatshme për konsum politikë akerët politikë.

Edhe në studime ndërkombëtare mbi gjuhën politike analizohet se si ndryshon diskursi politik edhe në bazë të pozicionit dhe vendit se ku thuhet dhe si drejtohet.

Bazuar në  librin “Enciklopedia Ndërkombëtare e Shkencave Sociale dhe të Sjelljes”, diskursi politik përfshin vendosjen e kornizave kuptimore dhe zbatimin e parimeve të hierarkisë, përfaqësimit dhe llogaridhënies në ushtrimin e pushtetit.

Si rrjedhojë, diskursi politik formon dhe vlerëson sistemet politike për të ndërtuar sisteme të rendit dhe kontrollit.

Profesori Abit Hoxha thotë se pasojat nga ky diskurs janë të mëdha në kohezionin social që i duhet Kosovës për të ndërtuar hapat e saj zhvillimor si shoqëri e cila pritet të përqafoj vlerat njerëzore dhe mendimin kritik i cili do të prodhonte lidership të përgjegjshëm.

“Natyrisht, interesi i lidershipit të tanishëm politik për t’u sharë është më i madh se sa për t’u kritikuar dhe të sharat dhe gjuha e tillë i shkon për shtati vetëm pushtetit në të dyja rastet”- beson ai, duke shtuar se i duhet partisë në pushtet për të fajësuar tjerët për dështimin si dhe për t’u sharë me gjuhën e njëjtë e cila pastaj nuk është e duhura për të kërkuar përgjegjësi por është vetëm për konsum të masave.

Në studimin e Teun van Dijk, “Diskursi publik dhe njohja politike”, thuhet se shumë zhanre të diskursit politik, në këtë rast përfshihen edhe debatet parlamentare në mes të tjerave, përkufizohen kryesisht në terma kontekstualë dhe jo tekstualë dhe se diskursi politik është veçanërisht ‘politik’ për shkak të funksioneve të tij në procesin politik.

Si rrjedhojë, studimi i van Dijk për diskursin politik thotë se ky i fundit nuk përcaktohet kryesisht nga tema apo stili, por nga kush flet kujt, si çfarë, me çfarë rasti dhe me çfarë qëllimesh. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori