LAJMI I FUNDIT:

Topalli: Kush ia mbylli sytë Topit për të mos parë dhunën?

Topalli: Kush ia mbylli sytë Topit për të mos parë dhunën?

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dëshmoi në komisionin parlamentar hetimor në lidhje me demonstratën e 21 janarit, me ç’rast ka sulmuar presidentin Bamir Topi në lidhje me demonstratën, duke e akuzuar atë si të implikuar në këtë ngjarje.

“Nuk e kishte parë kreu i shtetit ushtrimin e dhunës ndaj Kryeministrisë? Sulmin pesë-orësh me tym dhe flakë ndaj institucionit që përbën themelin e shtetit, qeverinë? Nuk kishte dëgjuar se shteti po sulmohej në themelin e tij? Kush ia lidhi gjuhën kreut të shtetit të mos fliste dhe kush ia mbylli veshët të mos dëgjonte?”, tha ndër të tjerash Topalli.

Sipas kryeparlamentares organizatorët e demonstratës, janë Edi Rama, Skënder Gjinushi dhe Gramoz Ruçi, teksa ka shtuar se dhuna ishte e paralajmëruar.


"U sulmua rendi kushtetues i këtij vendi. U sulmuan themelet e këtij shteti. Pavarësia e shtetit, dinjiteti i njeriut, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues… janë baza e këtij shteti i cili duhet t’i mbrojë”, tha Topalli duke shtuar se "qëndresa e gardistëve tregoi se në këtë vend ka shtet dhe institucionet, se në këtë vend ka vetëm një rrugë për të ndërruar pushtetin dhe ajo është vota”.

Topalli tha se për vrasjen e katër qytetarëve do të ketë një hetim të plotë dhe tha se “21 janari ishte një ditë e keqe, e tmerrshme, turpi, dhune e planifikuar, e komanduar, e financuar". "Në 21 janar ndodhi ajo që ishte thënë në intervista televizive nga Rama dhe Ruçi”. /Telegrafi/