Site icon Telegrafi

Todorovi në Sofje në takim me kolegët nga Evropa Qendrore dhe Lindore

Ministri i shëndetësisë, Nikola Todorov, i shoqëruar nga drejtorja e Agjencisë për barna dhe mjete ndihmëse mjekësore, Marija Darkovska-Serafimovska, sot ka marrë pjesë në takimin e punës të ministrave të shëndetësisë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, i cili u realizua në Sofje të Bullgarisë. Takimi u është përkushtuar sfidave në rritje në sferën e politikës farmaceutike, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Në takim, siç njofton Ministria për shëndetësi, është miratuar e ashtuquajtura Deklaratë e Sofjes, për sigurimin e qasjes adekuate deri te prodhimet farmaceutike me çmime të qëndrueshme dhe të përballueshme. Qëllimi parësor i Deklaratës është të mundësohet paraqitja e përbashkët e këtyre shteteve me qëllim të sigurimit të qasjes më të madhe ndaj barërave, si dhe sigurimin e barërave me çmime më të volitshme.

Siç thuhet në njoftim, në margjinat e takimit, ministri Todorov ka pasur takime me ministrat për shëndetësi të Kroacisë dhe Sllovakisë, me të cilët ka biseduar për më tepër mundësi për përparim të bashkëpunimit reciprok të shteteve.

Në orët e pasdites është paraparë takim me nikoqirin, ministrin bullgar të shëndetësisë, Petar Stefanov Moskov, thuhet në njoftimin e MSh./Telegrafi/

Exit mobile version