LAJMI I FUNDIT:

Tiranë, pengmarrësi me pistoletën pa fishekë

Tiranë, pengmarrësi me pistoletën pa fishekë

Pistoleta me të cilën 25-vjeçari Romeo Leka kreu grabitjen e bankës dhe pengmarrjen e vajzës dy ditë më parë në Tiranë, nuk kishte asnjë fishek në të.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sipas të cilave, nga hetimet paraprake është arritur të dokumentohen dhe provohen tre ngjarjet e fundit të ndodhura në kryeqytet, ku si protagonist kishin 25- vjeçarin Leka.

"Me marrjen e çështjes nën hetim, kemi arritur të provojmë se i dyshuari Romeo Leka është autor- përveç se i vjedhjes së njërit prej filialeve të bankës që ndodhet në bulevardin kryesor si dhe pengmarrjes së vajzës me inicialet L.H.- edhe personi që ka kryer vjedhjen me armë të një taksisti. Si dhe vjedhjen me armë të mbetur në tentativë të një filiali të bankës që ndodhet në rrugën ‘Ali Demi. Të tria këto ngjarje, vetë i arrestuari, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se i ka kryer. Ndërkohë ato provohen edhe në sajë të filmimeve të kamerave të sigurisë së bankës dhe dëshmisë së taksistit, i cili në orët e mbrëmjes së ditës së premte është ballafaquar me pengmarrësin Leka", thuhet nga burimet e Prokurorisë.

Dyshohet se të tre këto krime i dyshuari i ka kryer me të njëjtën pistoletë pa asnjë plumb brenda. "Me këtë armë kam tentuar të vjedh edhe bankën te ‘Ali Demi’ dhe taksistin, të cilin e kam marrë nga Unaza e Re deri në fshatin Mëzez ku e kam lënë të lirë. Gjatë gjithë kësaj kohe, pistoletën e kisha pa plumba", mësohet se i ka thënë prokurorit dhe oficerit të çështjes i arrestuari Leka me buzagaz.


Gjithashtu, burimet saktësuan se gjatë gjithë kohës, Leka ishte i ftohtë në dëshmi dhe kishte një rrjedhshmëri të logjikës, që linte përshtypje se i arrestuari vuante nga ‘deliri i madhështisë’. Nga hetimet, mësohet se është provuar se i arrestuari vepronte në kryerjen e veprave penale vetën pa ndonjë bashkëpunëtor dhe që 10 ditët e fundit strehohej nëpër hotele të ndryshme dhe dhoma me qira për një natë, duke mos pasur një vend qëndrim fiks. Shekulli/Telegrafi/