Lidhur me atë se çfarë pret të ndodhë pas dhjetë dhjetorit, Thaçi është përgjigjur: “Relativisht pas 10 dhjetorit do të ndodhë qartësia e madhe. Do të ndodhë qartësia dhe unifikimi dhe i komunitetit ndërkombëtar në raport me Kosovën ndërsa institucionet e Kosovës duhet të shkojnë në hapat e rëndësishëm të vendimmarrjes për shtet dhe bindjen në raport me komunitetin ndërkombëtar për njohjen ndërkombëtare”.

Nëse kjo gjë do të thotë shpallje të pavarësinë, pas kësaj date - kreu i PDK-së ka thënë: “Institucionet e Kosovës do t’i marrin përgjegjësitë e duhura në kohën e duhur dhe natyrisht do të marrin vendimin e duhur, vendimin për shtet”.

Thaçi po ashtu ka thënë se, Kosova është unike dhe shumë e përgatitur për shtet, edhe si qytetarë edhe si politikë. “Unë përfaqësoj vizionin që duhet të kemi një fillim të suksesshëm, fillimin e implementimit të procesit të pavarësisë dhe assesi të hymë në ndonjë ngatërresë të panevojshme tani në finalen e madhe të njohjes ndërkombëtare të Kosovës”.

Kosova, sipas Thaçit, më tepër sesa deklarime dhe rideklarime, ka nevojë më tepër për vendim dhe njohje ndërkombëtare të pavarësisë. “Por në çdo moment Kosova duhet të jetë unike dhe duhet të respektojë vizionin për shtet dhe një vizion modern për integrim”, është shprehur ai.