Në një bisedë private me zyrtarët e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Thaçi ishte shprehur i brengosur nga përzierja e politikës së Shqipërisë në Kosovë, që sipas tij po e bën kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Kështu thuhet në një kabllo ende të pabotuar diplomatike të Wikileaksit, që është dërguar nga ambasada amerikane në State Departament dhe një kopje të së cilës e posedon Koha Ditore.


Në një bisedë private menjëherë pas takimit, Thaçi i tha të ngarkuarit se ishte i brengosur nga përzierja e Sali Berishës në politikën e Kosovës. Takimi i Thaçit me zyrtarin amerikan kishte ndodhur disa ditë pas pritjes që Sali Berisha i kishte bërë Ramush Haradinajt në Tiranë, me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas kabllos diplomatike, Thaçi kishte përmendur se Berisha planifikonte një vizitë ta realizonte në vjeshtë dhe se ai do ta mirëpriste një vizitë nga Berisha në Kosovë, mirëpo nuk kishte dëshirë ta shihte atë duke bërë fushatë për Lidhjen Demokratike të Kosovës apo AAK.

Për më tepër Thaçi ishte shprehur se përzierja e politikës nga Shqipëria në Kosovë paraqiste kërcënim për Kosovën, ndërsa ka kërkuar ndërhyrje te amerikanët duke theksuar se Kosova është shtet i pavarur dhe jo krahinë e Shqipërisë. Ai po ashtu kërkoi nga SHBA qe Berisha te përmbahet nga deklarimet apo veprimet qe ngrisin frike në rajon nga pan-shqiptarizmi.

Në komentet që përmbyllin kabllon diplomatike, i ngarkuari me punë Murphy shton se “pajtohet që përfshirja e politikanëve nga Shqipëria dhe nga Kosova në garat jashtë vendeve të tyre është problematike dhe nuk ndihmon. “Edhe pse dyshojmë që nëse Berisha do të përqafonte PDK-në, Thaçi do të kishte më pak brenga për kërcënimin nga politika panshqiptare për Kosovën dhe rajonin, ne poashtu besojmë se do të mund të ishte e dobishme t’i përkujtojmë bashkëbiseduesit tanë në rajon për dëmin potencial që manovrat e tyre afatshkurtra politike të përbashkëta”, thuhet në komentet e fundit të kabllos diplomatike.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë nuk ka komentuar këtë pjesë të dosjes së WikiLeaks-it. “Departamenti i Shtetit nuk komenton lidhur me materiale të supozuara, përfshirë dokumente të klasifikuara që mund të kenë rrjedhur”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së, dërguar gazetës nëpërmjet zyrës së saj për informim.

Gazeta nuk ka arritur të sigurojë edhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Në mungesë të një zëdhënësi të Qeverisë, gazeta ka provuar disa herë të kontaktojë me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve. /Telegrafi/