LAJMI I FUNDIT:

Tegra 4 nga viti i ardhshëm

Tegra 4 nga viti i ardhshëm

Kanë rrjedhur disa specifika të çipit mobil Tegra 4 të Nvidias, i cili në treg pritet të paraqitet vitin e ardhshëm. Sipas informatave të publikuara, familja e çipave Tegra 4 (emri i koduar është Wayne) përbëhet nga katër modele me performanca pesë herë më të larta se Tegra 3 dhe dhjetë herë më të larta në krahasim me Tegra 2 SoC.

Kreun e ofertës e përbëjnë dy çipa me bërthamë 4+1 (ngjashëm me Tegra 3) por me arkitekturën më të avancuar ARM Cortex-A15. Këta procesorë kanë për synim tabletët 10-inçësh dhe punojnë me taktin prej 1.8 (T40) dhe 2 GHz (T43). Dy modelet tjerë i dedikohen segmentit mainstream dhe gjithashtu kanë dizajnin 4+1 me arkitekturën Cortex-A15 dhe takte në mes 1.2 dhe 1.8 GHz (AP40) ose arkitekturën Cortex-A9 dhe taktet e punës prej 1.2 deri në 2 GHz në rastin e çipit SP3X.

Ky i fundit i dedikohet tabletëve më të vegjël 7-inçësh, ndërsa ka të integruar përkrahjen për rrjetat mobile LTE. Koha e paraqitjes së Tegra 4 T40 është e planifikuar për çerekun e parë të vitit të ardhshëm, derisa të gjithë çipat e tjerë do të jenë në dispozicion gjatë çerekut të tretë të vitit 2013. /Telegrafi/