LAJMI I FUNDIT:

Të paktën 30 të vdekur nga shpërthimi në një minierë qymyri në Iran

Të paktën 30 të vdekur nga shpërthimi në një minierë qymyri në Iran

Të paktën 30 persona kanë vdekur dhe 17 janë plagosur pasi një rrjedhje metani shkaktoi shpërthim në një minierë të qymyrit në lindje të Iranit.

Besohet se 24 minatorë të tjerë janë bllokuar brenda pasi shpërthimi goditi minierën e Tabasit, rreth 539 kilometra në juglindje të kryeqytetit, Teheran.

Bëhet e ditur se në kohën e shpërthimit, atje kishin qenë duke punuar rreth 70 persona.


Nuk është e qartë nëse ndonjë ka mbetur i bllokuar brenda, por dihet se në vendngjarje tashmë është dërguar personeli i emergjencës, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, duke u përgatitur për të udhëtuar në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se ai urdhëroi të bëhen të gjitha përpjekjet për të shpëtuar të bllokuarit nëse ka, si dhe për të ndihmuar familjet e tyre.

Ai tha gjithashtu se një hetim për ngjarjen kishte filluar.

Ndryshe, kjo nuk është fatkeqësia e parë që godet industrinë minerare të Iranit.

Në vitin 2017, një shpërthim në një minierë qymyri vrau të paktën 42 njerëz, ndërsa 11 punëtorë u vranë në dy incidente të veçanta në miniera në vitin 2013.

Standardet e dobëta të sigurisë dhe shërbimet e papërshtatshme të urgjencës në zonat e minierave shpesh fajësohen për viktimat.

Irani konsumon çdo vit rreth 3.5 milionë ton qymyr, por nxjerr vetëm rreth gjysmën e tij nga minierat në vit.

Pjesa tjetër importohet, shpesh konsumohet në fabrikat e çelikut të vendit. /Telegrafi/