Nga: Xhahid Bushati
Gjon Shllakun, bashkëqytetarin tim shkodran e bashkëkohës, e njoha në fillim të viteve ’90. Jetonte në një hyrje modeste pallati, në lagjen “Qafardhi”. E kujtoj edhe tani atë pasdite, kur vjeshta ishte në të hyrë… Ndihej freskia e shiut të lehtë që sapo kishte pushuar. Muret e lagështitura të asaj fasade gri të murrëtyer që pashë, sikur e plaknin më shumë pallatin. Ca rreze të diellit në ikje që u shfaqën papritur, fokusuan një tendë nazike hardhie, ku ca degëza ishin zgjatur, kërkonin hapësirë dhe në mënyrë tinëzare kishin mbështjellur ca antena televizive e s’i lëshonin dot. Kjo ‘performancë’ ishte një shpërthim e harlisje gjelbërimi.
Ngjita shkallët, ca shkallë të rënë suvaje. Trokita dhe prita. Nga mënyra se si u hap dera dhe sytë e trembur të gruas që u shfaqën në të, kuptova menjëherë se nuk kishte trokitur ndonjë gazetar, aq më shumë siç isha unë, i Radio Shkodrës, i Shkodrës, vendlindjes sonë. Por, më tej kuptova, teksa hyja brenda, se isha gazetari i parë që, përmes trokitjes sime kisha trazuar ‘qetësinë’ e asaj shtëpie, ku jetonin të patrazuar e donin të jetonin ashtu: në një botë pleqërie a si në një baladë, një burrë e një grua. Veçanërisht burri donte të jetonte larg zhurmave trembëse, të bërtiturave tronditëse e fjalëve të kota që dëgjoheshin pareshtur pranë e rreth e rreth pallatit të vjetër, të asaj lagjeje pakëz në periferi. Jo se e trembnin, por ky burrë kishte një ‘botë’ të tijin, që e kishte krijuar qëkur kishte qenë 17 vjeç; atëherë kur kishte nisur udhën e vështirë, por fisnike të përkthimit me romanin “Ben Hur” të Wallasit dhe zotëronte gjuhët latinisht, greqisht (të vjetër), frëngjisht e italisht. E, nuk do të pushonte së përkthyesi… 63 vjet! Heshtja, fjalëpakësia, modestia ishin miqtë dhe bashkudhëtarët e përkthyesit të madh.
Më vonë, kur fillova të shpeshtoja vizitat si një mik në shtëpinë e tyre, kuptova se ajo grua (ishte gruaja e dytë e përkthyesit, se e para i kishte vdekur shumë kohë parë), ndonëse kishte qenë mësuese e fliste ngadalë si ato mësueset e dala në pension, sikur… më mirë se kushdo e kuptonte plotësisht botën që kishte krijuar i shoqi. Ai jetonte gjithnjë me një të kaluar të largët, shumë të largët që vetëm ai e njihte dhe e njihte në çdo ind të saj. Ajo e kaluar pikënisjen dhe lidhjen e kishte me Homerin dhe Iliadën. Ky burrë gegë, me talentin e tij të pashoq, i kishte dhënë shpirtin e tij si përkthyes, për t’i dhënë Eposit grek pavdekësinë edhe nëpërmjet gjuhës shqipe.
Kishte muaj që vizitat i shpeshtoja, ashtu siç kishte muaj që i vizitat i rralloja në shtëpinë e Gjon Shllakut. Për t’u mos u bërë të largët me njëri-tjetrin, shpesh flisnim edhe në telefon. Nuk ndryshonte zëri i tij. Mirësi e dritë kishte ai zë. Më bëhej sikur fliste dielli.
Teksa bisedonim, veçanërisht për veprën e tij të fundit, për Fjalorin diakronik latinisht-shqip me 65 mijë fjalë – e që kishte 16 vjet që nuk lodhej, por kërrusej para makinës së shkrimit – me atë zërin e tij të vogël, të pafajshëm fëmijëror më tregonte se dosjes së trashë iu shtua edhe një faqe e re… (në fakt, ato nuk ishin faqe, por enciklopedi, ku një burrë i zoti dhe i palodhur, i pagjumë dhe vlertar linte shenja diturie të një enciklopedie të re). Ia ndieja gëzimin e brendshëm që i lodronte në kopshtin e shpirtit të tij (dhe mendoja: “O udhëtar, që nuk di se ç’është pushimi, edhe sa rrugë ke për të bërë… Këndo, o muzë, këndo…)!
Teksa bisedonim, gjithherë më fanitej ai burrë që kur përmendte dashurinë e parë nuk përmbahej e ngashërehej në vaj, që pranonte ngrohtësinë e kapuçit të zi në kokë: i menduar e shpresëbesim, udhëtar që e vonuan në kohë e megjithatë e kapi diellin e mëngjesit, bard që këngën desh ia ngrinë në buzë po s’arritën, që shumë ditë nga jeta e tij ia trishtuan dhe ia pikëlluan… Por, ngaqë e njihja mirë, gjatë bisedës shpesh i dridhej zëri dhe unë e kuptoja dhe besoja që ai ishte skuqur në fytyrë. Skuqej në pafajësinë e vet… Dhe se… e ndiqte ende dashuria e nënës (edhe pse kishte ndërruar jetë) si “çati e botës…” – siç thoshte liriku i shquar i letrave shqipe Frederik Reshpja.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Princi i zi i politikës: 50 thënie të Makiavelit
Dokument i rrallë për pushtimin e Krujës dhe rënien e Shkodrës

Kënga mesjetare arbërore - “Konstandini i vogëlthi”

Fotografitë ikonike të revistës “Face”

Fati i arbëreshëve në poezinë “Vrull” të Zef Serembes

Banda e grave që kërcënoi Londrën për dekada

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Livia eliminohet nga Big Brother VIP Albania

Muhamet Dragusha zbulon klubin që ia ndërtoi shtëpinë

Si përfundoi në fajde furrtari nga Prizreni?

Analistët: LVV-ja synon të “peshkojë” deputetë opozitarë për formimin e qeverisë

Paradoksale: Në Dragash mbi 240 vota për partitë serbe, edhe pse atje nuk ka serbë

Palestinezi që ka qëndruar më së gjati në burg, izraelitët pritet ta lirojnë