“Ajo që kam theksuar në raportin tim janë dy aspekte pozitive: së pari që rezultatet e zgjedhjeve lokale të 8 majit po pranohen nga popullsia, përfshirë këtu edhe zgjedhjen e Kryebashkiakut të Tiranës; aspekti tjetër është angazhimi i dy partive kryesore dominante për të kryer reformën elektorale. Por në debatin e mbrëmshëm në Asamblenë Parlamentare pati edhe nga ata që u shprehën se nuk janë optimistë para se të shohin realizimin e këtij angazhimi. Nga angazhimet të dyja partitë duhet të kalojnë në veprime konkrete”, tha zoti von Sydow.

Zoti Sydow shtoi se situata politike në Shqipëri ka qenë e ngrirë për 20 vjet dhe se partitë politike kanë ende shumë ndikime nga sistemi i vjetër politik.


“Situata politike shfaqet e ngrirë në pamjen e saj për pothuaj rreth 20 vite. Të dy partitë kryesore politike nuk kanë treguar vullnet politik për të arritur konsensus për çështje thelbësore. Që të dyja partitë kryesore, lidhur me demokracinë e brendshme në parti, kanë ende ndikime nga sistemi i vjetër politik në Shqipëri”, shtoi zoti Sydow.

Kryetari për Çështjet Politike në Asamblenë e Këshillit të Europës theksoi se shkaku kryesor për këtë është mungesa e konsensusit mes dy partive dhe se bojkoti i parlamentit është dukuri shqetësuese.

“Shkaku kryesor është mungesa e konsensusit për çështje bazë, themelore mes dy partive kryesore, gjë që është e domosdoshme në një sistem politik dypartiak. Kjo është shqetësuese. Për Këshillin e Europës, Komisionin Europian dhe institucionet e tjera të BE-së është shumë shqetësues, fenomeni i bojkotit të Parlamentit nga njëra prej partive kryesore”, theksoi zoti Sybow./Telegrafi/