"Ne dëshirojmë, që të arrijmë një afrim mes serbëve dhe kosovarëve, sepse zgjidhja brenda treshes, ku bën pjesë Bashkimi Evropian, Rusia dhe SHBA-ja, do të ishte më e mira për rajonin", tha Steinmeier, njofton “Deutsche Welle”. Por ai shtoi: "Mund të jeni të sigurt, që po përgatitemi edhe për zgjidhje të tjera të përshtatshme, nëse ato na nevojiten. Këtu bën pjesë edhe sqarimi i çështjeve juridike".

Të dy ministrat u bënë thirrje palëve negociuese për statusin e Kosovës të tregohen të gatshme për qasje. Ministri malazez, Roçen, i cili për një kohë të gjatë ka qenë ambasador në Rusi, tha se as Rusia dhe asnjë vend tjetër nuk do të ndikojë ndaj qëndrimit të Malit të Zi për çështjen e Kosovës.

"Politika jonë orientohet nga synimi i integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian", tha Roçen gjatë vizitës së tij të parë në Gjermani, që nga shkëputja e Malit e Zi nga Serbia.

Gjermania ishte vendi i parë që hapi përfaqësi diplomatike në Podgoricë. Nën kryesinë e radhës gjermane në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Mali i Zi zhvilloi bisedimet kryesore me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, nënshkrimi i së cilës do të bëhet javën e ardhshme (15 tetor) në Bruksel. /DW/