LAJMI I FUNDIT:

Status-quoja shkakton stagnim, jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi

Status-quoja shkakton stagnim, jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi

Me ftesë të nënsekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Arben Qirezi, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe këshilltar i lartë i kryeministrit të Kosovës, po merr pjesë në seminarin Rose Roth, që është duke u mbajtur në Beograd në organizimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në fjalimin e tij që u përcoll me një interesim të veçantë nga një auditor i gjerë i vendeve anëtare të NATO-s dhe anëtareve në Partneritetin për Paqe, si dhe nga një auditor i Parlamentit dhe i Qeverisë së Serbisë, Arben Qirezi, ndër të tjera tha se, “populli i Kosovës synon pavarësinë për një kohë të gjatë. Kjo nuk është një synim nacionalist, por është synim i një populli që dëshiron të qeverisë vetveten, të jetojë në dinjitet dhe të respektohet nga të tjerët”.

“Këto janë gjëra prej të cilave populli i Kosovës ka qenë i privuar gjatë tërë kohës së sundimit të Serbisë. Institucionet dhe populli i Kosovës janë të përkushtuara që të vazhdojnë progresin e deritanishëm që është arritur në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, por se status quoja në Kosovë nuk është e qëndrueshme dhe shkakton stagnim, jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi”, ka vlerësuar Qirezi.

Është koha, theksoi ai, për qasje realiste për statusin e Kosovës dhe është koha për një qasje konstruktive e Serbisë që do të ndihmonte integrimin e serbëve të Kosovës.


“Kosova është në paqe me vetveten dhe dëshiron bashkëpunim me fqinjët e saj. Askush nuk duhet të frikësohet nga pavarësia e Kosovës sepse populli i Kosovës e ka zgjedhur mënyrën e vet të jetës që është pavarësia, demokracia, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe integrimet euro-atlantike”, u shpreh Qirezi.

Kosova, sipas tij, nuk është vrimë e zezë dhe nuk është territor i shkretë. “Kosova ka të bëjë me popullin e saj dhe njerëzit që jetojnë aty. Populli i Kosovës nuk do ta lëshojë rastin për të ndërtuar vendin e vet të pavarur sipas aspiratave të demokracisë dhe jetës së dinjitetshme të të gjithë njerëzve pavarësisht prej përkatësisë etnike", tha në fund ai.

Pas fjalimit të tij, Qirezi u përgjigj në pyetje të shumta të diplomatëve perëndimorë dhe të pranishmëve të tjerë.

Qirezi është zyrtari i parë Kosovar qe mban një fjalim politik ne një tubim qeveritar te karakterit ndërkombëtar që organizohet në Beograd. Nga Kosova, në seminar ka marrë pjesë edhe zv shefi i UNMIK-ut, Steven Schook.