Spanja do të dërgojë gjashtë tanke Leopard të prodhimit gjerman në Ukrainë pas Pashkëve, tha ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles.
Kjo e fundit tha se vendi sapo kishte riparuar mjetet luftarake që nuk ishin përdorur që nga vitet 1990 dhe kishte testuar gatishmërinë e tyre luftarake përpara se t’i dërgonte ato.
“Duke dërguar Leopardët, ne do të vazhdojmë të ndihmojmë popullin ukrainas… për të mbrojtur veten kundër një sulmi absolutisht të padrejtë”, tha ajo, duke shtuar se Spanja tani do të riparojë katër tanke të tjera që do të dërgohen “në të ardhmen e afërt”.
Tanket 2A4 Leopard të prodhimit gjerman do të dërgohen në Ukrainë pas 9 prillit, raporton skynews.
Në fillim të kësaj jave, 18 tanke Leopard 2 të premtuara nga Gjermania dhe tre të premtuara nga Portugalia arritën në Ukrainë.
Moska i quan dërgesat e armëve perëndimore një provokim të rrezikshëm. /Telegrafi/