Skemat piramidale, 15 milionë dollarë në Greqi

Zoti Malaj tha se “rezulton se ka ende pasuri të pashitura të kompanisë Vefa, të cilët pjesërisht janë në Tiranë, dhe duhet të pranojmë se, si rezultat i ndryshimit të tregjeve financiare, vlera e këtyre aseteve ka ndryshuar edhe për shkak të rrënimit të këtyre pasurive.”
Zoti Malaj nënvizoi se “përveç pasurive të paluajtshme, kompanitë kanë edhe debitorë të huaj dhe i tillë është rasti i kompanisë Cenaj dhe Gjallica, të cilat kanë ende debitorë të huaj në Greqi dhe shumica e aseteve me vlerë të ish-kompanive rentiere janë shitur dhe mbartin problematikë ligjore dhe për këtë fakt ende nuk janë kthyer në vlera monetare”, citoi MAPO.
“Janë disa mijëra metra katrorë që kanë vlerën e truallit dhe e tillë është Fabrika e Tullave në Vlorë me një sipërfaqe 74 mijë metra katror, dhe janë 24 mijë metër katrorë të tjera në Laprakë, në Fier, janë gjithashtu 12 mijë metër katror të njohura si Reparti i Kombinuar i ish-Uzinës Mekanike Bujqësore dhe janë edhe disa vila të VEFA-s në Tiranë dhe jashtë vendit”, tha kryetari i grupit të mbikqyrjes, dhe theksoi se “të gjitha këto asete, të cilat përkthehen në disa milionë euro janë në proces gjyqësor.”
Kryetari i grupit të mbikqyrjes tha gjithashtu se “në Greqi janë faktuar tashmë rreth 15 milionë dollarë, për të cilat pala shqiptarë ka të gjithë dokumentacionin e rregullt dhe shumica e këtyre detyrimeve janë sekuestrime që pala greke ka bërë gjatë kohës së kapjes të bosëve shqiptarë të firmave rentiere, por në momentin që shteti grek ka bërë gjyqin e këtyre personave, pala shqiptare nuk është paraqitur për të kërkuar pronësinë e parave, duke bërë që ato vlera sot e kësaj dite të jenë të ngrira në llogari të bankave në Greqi.” “Për të përfituar këto shuma, pala shqiptare ka rihapur gjyqet dhe për këtë qëllim ka kontraktuar një nga studiot më të njohura të avokaturës në Athinë”, tha ai.
“Ka disa çështje të hapura me disa kompani, të tilla si; borxhi 3.8 milionë USD nga kompania Siontis Janinë; borxhi 2 milionë USD nga kompania Sabo; borxhi 2 milionë USD nga kompania Poseidon, Athinë; Vila e VEFA-s në Athinë; borxhi 2 milionë USD nga kompania ajrore Aviator, dhe përveç Greqisë, mbikëqyrja ka çështje të hapura edhe me vende të tjera ku janë disa llogari dhe asete ende të palikujduara, në Budapest ka një vilë në pronësi të VEFA-s ende e pashitur dhe gjithashtu mbeten për t’u arkëtuar një shumë prej 250 mijë eurosh nga shitja e anijes Piam, dhe është në proces gjyqi për kthimin e borxhit 8 milionë USD nga kompania Seant Team, gjithashtu në Budapest janë të bllokuara edhe 1 milion USD nga llogaritë e VEFA-s”, tha zoti Malaj. /Telegrafi/



















































