Skandaloze: Prostitucioni i të miturave në Bangladesh

"Ka një dallim në mes të dukjes sime të tashme dhe asaj të paushqyer kur isha e re. Jam më e shëndetshme se më herët, ndërsa jam e aftë të shërbej shumë myshterinj gjatë ditës. Ndonjëherë deri në 15", thotë prostituta 17 vjeçarja Hasi, nga qyteti Kandapara, e cila është detyruar të ushtroj prostitucionin kur ishte vetëm dhjetë vjeçe.
Kërkesa për prostituta është në rritje në Bangladesh, gjë që ka ulur çmimin e shërbimeve seksuale deri në 50 taka (as 50 centë). Prandaj, shumica e tyre janë të detyruara të përdorin oradeksonin që të jenë më tërheqëse për klientët. Ky steroid, i njohur edhe si deksametazon, përdoret për shërimin e alergjive tek njerëzit, por edhe për të majmë shtazët.
Gjithçka fillon kur udhëheqëset e shtëpive publike (sardarni, siç i quajnë në Bangladesh), i detyrojnë vajzat të marrin steroide për të tërhequr më shumë klientë, ndërsa më vonë ato vetë e bëjnë këtë, sepse fitojnë më shumë e kështu ia dalin t’i paguajnë faturat.
"Sardarna ime më detyroi ta marrë një pilulë. Më rrahu dhe nuk donte të më jepte ushqim. Më kërcënoi dhe tërë kohën m’i përkujtonte borxhet”, thotë Hasi.
Ajo ka një djalë katërvjeçar që jeton tek kushërinjtë dhe të cilin nuk e ka parë që dy vjet.
"Klientët në këtë bordello kërkojnë gjithmonë vajza të shëndetshme. Prandaj, marrë oradekson. Unë kam nevojë për klientë që t’i paguaj faturat dhe borxhet. Nëse një ditë nuk kam myshterinj, ditën tjetër nuk do të kem për të ngrënë. Do të doja të kurseja ca para edhe për djalin tim”, shton Hasi.
I ngjashëm është fati i shumicës së adoleshenteve prostituta në Kandapara (të njohura edhe me emrin cukri), të cilat familjet e varfra nga zonat rurale të vendit ua shesin makrove për 20.000 taka (afro 185 euro), pas së cilës ato janë të detyruar të punojnë tërë jetën si skllave të seksit.
Shumë prej këtyre vajzave e kalojnë vitin e parë në bordello, ndërsa për shkak të analfabetizmit nuk e dinë nëse janë larë borxhet e tyre e as se cilat janë të drejtat e tyre. Disa vajza, pas shumë viteve të kaluara në bordello, e fitojnë të drejtën për të shkuar në shtëpi, por megjithatë zgjedhin të rrinë, sepse kanë vështirësi ta përballojnë turpin që ua imponon shoqëria konservatore e Bangladeshit. /Telegrafi/



















































