LAJMI I FUNDIT:

Sistemi “EDI” i ATK-së fiton çmim të parë

Sistemi “EDI” i ATK-së fiton çmim të parë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), është fituese e çmimit të parë “Shërbimi më i mirë publik” në ICT Awards. Këtë çmim e mori me projektin Deklarimi Elektronik i Tatimeve. Sistemi për Deklarim Elektronik (EDI), është një aplikacion softuerik, i cili mundëson pranimin dhe dorëzimin e deklaratave dhe pagesave përmes kanaleve elektronike nga tatimpaguesit e regjistruar në sistemin bazë tatimor, duke shfrytëzuar Internetin Publik si medium i komunikimit.

Albanian ICT Awards është ngjarje tradicionale ku bëhet edhe kurorëzimi i fituesve në shtatë kategoritë që kanë qenë edhe objektivi i të gjithë aplikantëve, ku njëkohësisht është edhe mundësia e vlerësimit më të lartë në sektorin e Teknologjisë Informative.

“ATK ka të funksionalizuar Sistemin më të Ri Elektronik Tatimor – EDI, i cili mundëson deklarimin / pagesën e të gjitha tatimeve / kontributeve pensionale, trajtimin e formularëve tatimor, administrimin e aplikacionit EDI-t, korrigjimin e të gjithë formularëve tatimor, si dhe qasje të thjeshtë në historinë e tatimpaguesve, bilancin tatimor, etj”.


ATK është e vendosur të vazhdojë me përkushtimin më të madh të realizojë suksese të mëtutjeshme në misionin e saj, mbledhjen e të hyrave dhe realizimin e objektivave të planifikuara. Gjithashtu, në vazhdimësi do të bëj përpjekje në ngritjen e përmbushjes vullnetare, duke ofruar shërbime profesionale, transparente dhe efektive, në zbatim të drejtë dhe të njëllojshëm të ligjeve tatimore. /Telegrafi/