LAJMI I FUNDIT:

Sigurimi i makinave, çmimi vendoset nga kompanitë

Sigurimi i makinave, çmimi vendoset nga kompanitë

Qeveria shqiptare ka liberalizuar çmimet për sigurimin e detyrueshëm të makinave. Bëhet fjalë për sigurimin që janë të detyruar ta paguajnë një herë në vit, ata që lëvizin me makina në të gjithë vendin.

Ligji aktual parashikon që kjo tarifë për autoveturat të mos jetë nën 11 mijë lekë në vit. Ndryshimi i ligjit parashikon që do të jenë vetë kompanitë e sigurimit ato që do të përcaktojnë, në bazë të tregut, se sa do të jetë çmimi i siguracionit të detyrueshëm.

Pas miratimit nga Kuvendi të ndryshimit ligjor, pagesa e sigurimit të detyrueshëm për 427 mijë makina do të kushtojë më lirë dhe qytetarët do të shohin një konkurrencë më direkte në treg.

Në nenin e ndryshuar nga qeveria, thuhet se AMF miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelit të provigjoneve teknike. “Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi njofton zyrtarisht autoritetin”.


Në nenin e ndryshuar parashikohet që “Pavarësisht tarifave të liberalizuara të primit të sigurimit të detyrueshëm, shoqëritë e sigurimit krijojnë rezervat teknike (provigjonet), jo më pak se niveli i provigjoneve të përcaktuara nga autoriteti”.

Me miratimin e ligjit, të 427 mijë qytetarët që kanë makina ose, më saktë të 267 mijë qytetarët që paguajnë siguracion vjetor të detyrueshëm për makinën, do të paguajnë më pak./Telegrafi/