Si zgjidhet Kryetari i Kuvendit të Kosovës?

Synimi i koalicionit pas zgjedhor (AAK, LDK dhe Nisma) për ta marrë postin e Kryetarit të Kuvendit mund të dalë të jetë në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Koalicioni (AAK, LDK dhe Nisma) pretendon që në ditën e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të bashkohet në një grup të vetëm parlamentar dhe të thirret në nenin 67.2 që thotë "Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit".
Kushtetuta nuk e sqaron më tutje se si duhet të themelohen grupet parlamentare me rastin e konstituimit të Kuvendit, por kjo është e sqaruar në rregulloren e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Rregullorja e punës së Kuvendit, që aktualisht është në fuqi, në pikën 13 thotë:
1. Kryesia e Kuvendit përbëhet prej 6 anëtarëve.
2. Kryesuesi i seancës konstituive kërkon nga përfaqësuesit e partive ose të koalicioneve që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, t’i paraqesin emrat e anëtarëve të propozuar, si vijon:
a) Dy anëtarë nga partia ose koalicioni që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvend;
b) Një anëtar nga partia e dytë ose nga koalicioni i dytë me numrin më të madh të votave;
c) Një anëtar nga partia e tretë ose nga koalicioni i tretë me numrin më të madh të votave;
d) Një anëtar nga ata të partive që janë deklaruar se janë përfaqësues të komunitetit serb të Kosovës dhe
e) Një anëtar nga ata të partive që janë deklaruar se përfaqësojnë komunitete të tjera, përpos komunitetit shqiptar dhe komunitetit serb të Kosovës.
3. Kryesuesi kërkon nga përfaqësuesi i etnitetit politik, që ka marrë numrin më të madh të votave, të deklarojë se cili nga dy të emëruarit për Kryesi propozohet për kryetar të Kuvendit.
Sipas kësaj procedure, që vazhdon të jetë në fuqi, pretendimi i koalicionit AAK-LDK-Nisma për të marrë postin e Kryetarit të Kuvendit del të jetë i kundërligjshëm.
Kjo procedurë e saktëson se grupet parlamentare në ditën e konstituimit të Kuvendit duhet të jenë në përputhje me vullnetin e popullit të shprehur në ditën e zgjedhjeve.
Indeksonline ka raportuar edhe para dy ditësh lidhur me sqarimin që e jep Kushtetuta sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Kushtetuta e Kosovës lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përcakton:
Neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]
1. Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë.
2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
3. Tre (3) nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Në dy pikat e mëtejshme flitet për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve. /Indeksonline/


































