LAJMI I FUNDIT:

Si u shndërrua “Kryezoti i unazave” në armën sekrete të luftërave kulturore të Italisë?

Si u shndërrua “Kryezoti i unazave” në armën sekrete të luftërave kulturore të Italisë?
Giorgia Meloni (foto e vitit 2018)

Nga: Jamie Mackay / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Si adhurues për një kohë të gjatë i JRR Tolkienit, prej kohësh jam ndier i mërzitur nga obsesioni i çuditshëm i Giorgia Melonit me Kryezotin e unazave [The Lord of the Rings]. Gjatë viteve, kryeministrja ultra-konservatore e Italisë ka cituar fragmentet [e librit] nëpër intervista, ka shpërndarë foto duke e lexuar romanin dhe madje ka pozuar me një statujë të magjistarit Gandalf – në kuadër të një fushate. Në autobiografinë apo manifestin e saj, disa faqe ia kushton “librit të saj të preferuar”, të cilit në një moment i referohet si tekst “i shenjtë”. Kur lexova lajmet se Ministria e Kulturës e Italisë po shpenzon 250 mijë euro për të organizuar një shfaqje të Tolkienit në Galerinë Kombëtare të Artit Modern dhe Bashkëkohor të Romës – dhe se Meloni do të marrë pjesë në hapje – nuk mund të mos pyes veten: Pse? Çfarë po përpiqet të arrijë kjo qeveri duke e vënë vulën, në mënyrë kaq agresive, në një nga sagat më të dashura të fantazisë në botë?

Miqtë e mi italianë nuk e kuptojnë këtë bujë. Është politikë e përditshme, thonë ata, një si ushtrim i thjeshtë marketingu për të zbutur imazhin e Melonit. Ndoshta. Por, kjo histori ka një anë më të thellë dhe sinqerisht të çuditshme. Kur Kryezoti i unazave doli për herë të parë nëpër raftet italiane, në vitet 1970, studiuesi Elémire Zolla shkroi një hyrje të shkurtër në të cilën librin e interpretoi si alegori rreth grupeve “të pastra” etnike që mbroheshin kundër kontaminimit të pushtuesve të huaj. Simpatizantët fashistë në Movimento Sociale Italiano (MSI), shpejt u kapën pas këtij provokimi. Të frymëzuar nga fjalët e Zollas, botën e Tolkienit e panë si një hapësirë ku mund të eksploronin ideologjinë e tyre në termat e pranueshëm shoqërorë, duke qenë të lirë nga tabutë e së kaluarës. Meloni, si anëtare e krahut rinor të MSIsë, ndërgjegjen e vet politike e zhvilloi në atë mjedis. Si adoleshente ajo madje e ndoqi një “Kamp të hobitëve”, një pushim veror të organizuar nga MSI-ja në të cilin pjesëmarrësit ishin veshur me veshjet e frymëzuara nga vepra, e ku së bashku i këndonin baladat popullore dhe diskutonin se si mitologjitë tolkieniane mund ta ndihmonin të djathtën post-fashiste – për ta fituar besueshmërinë në një epokë të re.


Natyrisht, këtu po flasim për një lëvizje të ekstremit. Por, ia vlen të pranohet se, me pak imagjinatë, sagat e Tokës së Mesme përshtaten mjaft mirë me logjikën e populizmit bashkëkohor të krahut të djathtë. Kryezoti i unazave ndjek logjikën e lojës me shumën zero, të rrënjosur në metafizikën katolike. Ka hobitë “të mirë” dhe elvë që luftojnë kundër orkëve “të këqij”. Ka pak hapësirë për nuanca. Teksa shumica prej nesh ndoshta i lexojnë personazhet “e mira” sipas termave apolitikë, nuk duhet shumë mund për ta lakuar këtë përkufizim sipas qëllimeve nacionaliste. Në librin e saj, Meloni pikërisht këtë e bën. Në një moment ajo na flet për personazhin e saj të preferuar që është njeriu i rëndomtë paqedashës, Semuajz Gemxhi – “thjesht një hobit”. Disa faqe më vonë, në mënyrë implicite e krahason Italinë me mbretërinë e humbur të Numenorit dhe e citon ftesën për kapje armësh të personazhit Faramir në Dy kullat. Në fund të fundit, duket se veprën e Tolkienit e sheh si fabul didaktike kundër globalizimit, si epikë hiper-konservatore që mbron luftën e plotë kundër botës moderne – në emër të vlerave tradicionale.

Nga udhëheqësit e mëparshëm, Meloni dallohet për interesimin e saj për fantazinë, për simbolet dhe narrativat madhështore. Të gjitha qeveritë në Itali, të majta dhe të djathta, e përdorin kulturën si ndihmë për mesazhet e veta politike. Megjithatë, administrata aktuale në mënyrë të çuditshme duket e fiksuar për ta vënë kontrollin mbi imagjinatën e publikut. Një nga gjërat e para që bëri Meloni kur erdhi në pushtet, ishte emërimi i Giampaolo Rossit – gazetar i njohur për mbrojtjen e Vladimir Putinit – si drejtor i përgjithshëm i transmetuesit publik RAI. Qëllimi i organizatës tani po rishkruhet duke e përfshirë detyrimin për të promovuar “thesarin e lindjeve dhe të qenit prind”. Më pas e emëroi Alessandro Giulin – kritikun konservator dhe euroskeptikun e hapur – si president të muzeut më të rëndësishëm të artit bashkëkohor të Romës – Maxxi. Javën e kaluar, qeveria emëroi Pietrangelo Buttafuocon – intelektual i njohur dhe ish-anëtar i komitetit qendror të organizatës post-fashiste rinore, Fronte della Gioventù – si presidentin e ardhshëm të Bienales së Venecias. Në prag të vendimit, Buttafuoco deklaroi: “Këtë sezon do të bien gardhet. Shtëpia do t’ju jepet atyre që deri tash nuk e kanë pasur një të tillë”.

Është diçka joshëse të shpërfillësh luftërat kulturore, si taktika sipërfaqësore të fushatave politike: si argumente polarizuese që politikanët përdorin për të nxitur pasionet në prag të zgjedhjeve dhe asgjë më shumë se kaq. Veprimet e Melonit na kujtojnë se ka edhe një aspekt më serioze. Gjatë verës, në një lëvizje sipas manualit të Viktor Orbanit, qeveria italiane ndërmori hapin dramatik për t’ia dhënë vetes pushtetin e drejtpërdrejtë për të emëruar menaxhmentin e Qendrës Eksperimentale Kinematografike të Romës – një nga shkollat më të rëndësishme të filmit në Itali. Deputeti Igor Iezzi e arsyetoi këtë vendim mbi bazën e nevojës për të “modernizuar” institucionin, duke shtuar se e majta duhet të bëjë përpjekje për të “hequr kthetrat nga kultura”. Interesante është se qeveria duket se nuk e ka asnjë shqetësim të tillë me numrin në rritje të botuesve të ekstremit të djathtë që ribotojnë librat e autorëve fashistë, si Giovanni Gentile dhe Julius Evola, për një brez të ri të lexuesve (meqë ra fjala, shumë nga këta botues po e përdorin Kryezotin e unazave për të tërhequr audiencat e reja).

Mbetet e paqartë çështja se ku po shkon e gjithë kjo punë. Projekti kulturor i Melonit është ende në fazat embrionale dhe ende nuk ka asnjë shenjë të një politike kohezive shtetërore. Megjithatë, shenjat e para janë shqetësuese. Gjatë vitit të kaluar, shumëkush e ka pranuar idenë se Meloni është “e moderuar”. Ata kanë rënë pre e buzëqeshjeve të saj, e gjuhës së saj të ndrojtur trupore, gjuhës së saj rishtazi të moderuar. Megjithatë, nën sipërfaqe është një agjendë shqetësuese kulturore. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
Viti 1982: Vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës

Viti 1982: Vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës

Kulture
Mohimi dadaist

Mohimi dadaist

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Kalo në kategori