E morra këtë titull nga vjersha e poetit tonë të Rilindjes, Filip Shiroka, e botuar 116 vjet më parë, por që edhe tani nuk i ka humbur aktualiteti. Për të bërë këtë shkrim më nxiti një shoku i im i cili është gjuhëtar me profesion, bile edhe me titull të lartë shkencor në njërën nga lëmitë e gjuhës shqipe.
Para dy a tri vjete u takuam në qytet. Pas përshëndetjeve të zakonshme më tronditi me një lajm ndjellakeq. Si duket brengosjen e vet deshi ta ndante edhe me shokë në mënyrë që disi këtë ta copëtonte në pjesëza të vogla e dikur, ndoshta, dikush prej shokëve edhe do të ia hedhte poshtë si të pabazë e edhe ai vet do të lirohej nga ky ankth. Më tha se ka lexua diku në internet nga disa shkencëtarë hungarezë se gjuha shqipe do të zhdukej për disa dhjetëvjeçarë. Më bëri përshtypje se pse ma tha mua këtë lajm kur e ka dijtë se unë nuk merrem me gjuhësi dhe se nuk kam as më të voglën mundësi ta kurajoj se kjo nuk do të ndodhë. Por, ky lajm mua më bëri të mendoj për një kohë të gjatë.
I ka përballua shqipja mijëvjeçarët, mendojsha, e nuk u zhduk. Iu vërsulën barbarë të ndryshëm që nga romakët, bizantinët, turqit, serbët, grekët, bullgarët, e edhe dreqi vet, por shqipja të gjitha i përballoi me sukses dhe ngeli gjuha bazë e të gjitha gjuhëve të Evropës. Të gjithë këta barbarë shqipen e ndaluan të shkruhej dhe të flitej, por ajo u përvodh deri në ditët e sotit. E çuditshme më duket që sot, kur në trojet tona u krijuan dy shtete të shqipes-ilire-pellazge të mendojë ose të ketë drojë dikush nga ne se do të pësoj gjuha e jonë! Nga kush rrezikohet shqipja e jonë tani? Cilët janë ata që mund ti dalin para kësaj gjuhe e cila është bërthama e gjuhëve indoeuropjane?
Shqipja iu rezistoi mijëvjeçarëve me të shkruar e pa të shkruar, me alfabet e pa alfabet deri në ditët e sotit. Kur në Manastir u miratua Alfabeti i shqipes tash e 100 vjet më parë në variantin më të mire të mundshëm, bota menduan se shqipja prapë u bë me abc-në e moçme. Ka supozime nga shkencëtarët se shqipja apo iliro-pellazgjishtja e ka pasë alfabetin e vet dhe se latinishtja e ka marrë alfabetin e shqipes diku në mijëvjeçarët e kaluar e tash dihet si alfabeti latin. Do të ishte shumë brengosëse nëse Komisioni i Kongresit të Manastirit ta kishin miratua një alfabet arab, grek apo cirilik qysh kemi dëgjua se ka patur propozime. Dhe, me këtë abc-ë shqipja iu kthye prapë vetes së vet.
Mendojeni sa largpamës paskan qenë pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit. Mendojeni vetëm për një çast po të ishte miratua në Manastir alfabeti arab, grek ose cirilik ku do të ishim ne sot. Sot ne do të ishim në një humnerë pa fund dhe pa kurrfarë identiteti. Do të na kryqonin si do të donin të gjithë fqinjët tanë, dhe me bekimin edhe të Evropës. Shqipja do të mbetej një gjuhë shumë e vjetër dhe me vlerë, por për të do të flitej si për një gjuhë të vdekur. Sikurse që flitet sot për latinishten dhe greqishten e vjetër. Shqipja do të mbetej thesar i Evropës por pa pronar. Prandaj, mendoj se puna e bërë në Kongresin e Manastirit vlen, së paku, sa një luftë çlirimtare.
Brenga dhe frika e shoku tim për zhdukjen e gjuhës shqipe pas Manastirit më duket e pavend dhe lajm i kobshëm njëkohësisht. Edhe pse ky alfabet nuk u prit mirë nga qarqet shoveniste turko-greko-serbe ai i mbijetoi kohës. Para dhe pas Manastirit u pengua shumë nga kleri turko-greko-serb dhe e pësuan Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Shtjefë Gjeqovi etj. Por, shqipja nuk u ndal.
Shqipja u zbërthye shkencërisht si gjuhë e zhvilluar dhe shumë e vjetër nga shkencëtarë të huaj, por së voni edhe nga vet shqiptarët. Zhvillimin dhe studimin e hovshëm e arriti në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet kur shkenca shqiptare e muarr në duart e veta kujdesin për albanologjinë në përgjithësi. Kur Tirana u bë qendra për studime albanologjike në përgjithësi dhe për gjuhën shqipe në veçanti, atëherë gjuha shqipe njohu zhvillimin më të madh në histori dhe iu vu baza e një gjuhe shumë të përparuar në botë.
Kulmi i këtij zhvillimi u arrit me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 të mbajtur në Tiranë dhe të përkrahur fuqishëm edhe nga gjuhëtarët shqiptarë nga Kosova dhe e të gjitha trevave shqiptare në ish-Jugosllavi të cilët dhanë kontribut shumë të çmuar në gjuhën standarde. Me këtë akt gjuha shqipe hyri në radhën e gjuhëve më të standardizuara të botës moderne. Unifikimi dhe standardizimi i gjuhës shqipe të arritur në vitin 1972 çmohej baras me fitoren e një lufte çlirimtare. Me vendosjen e shqipes standarde mendohej se u krye një punë e cila do t’u rezistojë edhe shumë e shumë shekujve të ardhshëm. Ashtu mendohej, sepse kishin parasysh se çfarë peripecish kishte patur ajo edhe pas miratimit të Alfabetit më 1908-në. Shqipja standarde filloi të shkruhej dhe flitej edhe në Kosovën, atëherë të robëruar.
Shqipja standarde nuk i pati pengesat që e përcollën Alfabetin, sepse tani ishin rrethanat krejt më të favorshme se sa në fillim të shekullit njëzet. Tani shqipja filloi të lulëzojë, sepse institucione të tëra shkencore e përdorën pa hamendje. U përpiluan fjalorë dhe enciklopedi të shumta për një kohë të shkurtë. Shqipja standarde përdorej në të gjithë hapësirën shqiptare.
Një fjalë e urtë e popullit thotë: “Lisin e çanë vetëm pyka e vet”. Çuditërisht, pas viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, atëherë kur më së paku është pritur, nga brenda filloi të gërryhet gjuha e unisuar dhe standarde shqipe. Ngjau sikur shtrigat kishin fjetur e nuk kishin ngordhur. E gjetën momentin dhe u shfaqën përsëri e filluan të gërmojnë gjerë e gjatë në përçarjen e popullit, por edhe të gjuhës njëkohësisht. Sigurisht që armiqtë tanë shekullorë ortodoksë greko-serbë, nëpërmjet besnikëve të tyre tradicional e të strukur mirë për më se 45 vjet, e aktivizuan artilerinë e tyre të rënd kundër shqiptarëve duke investuar së pari në përçarje në dialektet e shqipes, e pastaj edhe në copëzimin e saj edhe në krahinarizma.
Këto ngordhina ortodokse filluan të godasin aty ku ishte gjëja më e shtrenjtë e jona, në prishjen e gjuhës së unifikuar duke shpifur edhe gjëra të paqena si: gjuha u unifikua me dhunë, tani në gjuhë sundon toskërishtja, gegërishtja duhet të jetë gjuha bazë e shqipes dhe trillime e rrena të tjera të paqena.
Edhe çështja e gjuhës u ngrit në problem politik dhe u ideologjizua sa që njerëzit e pandërgjegjshëm villnin tug e vrerë vetëm e vetëm ta prishnin frytin e mbjellë më 1908 dhe të standardizuar para 20 vjetësh. Gjëja më e shenjtë e një etnikumi u godit rënd, por nuk u rrënua. Për fat të keq edhe institucionet shkencore në Shqipëri dhe Kosovë u politizuan dhe u paralizuan njëkohësisht dhe nuk e luajnë më rolin e tyre shkencor dhe studiues, por janë vënë në shërbim të politikave ditore të klaneve provinciale. Ato më nuk merren me studime gjuhësore dhe albanologjike, por vetëm me vënien e pykave në mes të folmeve dialektore dhe nëndialektore.
Shikuar në këtë këndvështrim, tani më bëhet brengosëse thënia e atij shoku për zhdukjen e gjuhës shqipe në një të ardhme jo fort të largët. E për këtë nuk kemi kujt t’ia lëmë fajin pos vetes tonë.
Po shërbehem prapë me një thënie tjetër popullore: “Nëse të lidhë dikush gjithmonë gjindet dikush tjetër që do të të zgjidhë por, nëse lidhesh vet, atëherë nuk ka kush të zgjidh më”.
Kësaj të keqeje tani iu ka bashkëngjitë edhe një dukuri tjetër. Me të madhe po përdoren fjalët e huaja në vend të fjalës shqipe në jetën e përditshme, në shkrime, në shkresa dhe raporte zyrtare e sidomos në gazetari dhe në mjete të informimit. Gjuhët mes veti gjithmonë kanë marrë dhe kanë dhënë fjalë dhe shprehje. Ndikime ndërgjuhësore ka patur që nga mijëvjeçarët. Asnjë gjuhë nuk i ka shpëtua huazimeve nga gjuhët tjera. Dhe, kjo është më se normale në tërë historinë njerëzore. Shumë fjalë dhe shprehje të huaja kanë zënë vend dhe janë sistemua e familjarizua në fjalorin tone. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Gjuhët e ndryshme ia plotësojnë leksikun njëra tjetrës. Edhe shqipja ka në leksikun e saj fjalë dhe shprehje turke, arabe, persishte, latine, greke sllave, italishte, frëngjishte, anglishte, rusishte etj. por trungu ka mbet shqipja e lashtë iliro-pellazge.
Edhe të gjitha gjuhët e popujve të mëdhenj e kanë të njëjtin fat. Por, kjo çka po ndodhë tani me përdorimin e fjalëve dhe të shprehjeve të huaja në shkrimet dhe fjalimet tona, më duket se është shumë brengosëse dhe tejet e panevojshme. Shqipja nuk është gjuhë e varfër për të marrë e huazua çkado dhe pa kriter nga gjuhët tjera. Nëse merren emërtimet e teknikës dhe teknologjisë së re, nuk dëmtohet shqipja, por vetëm pasurohet. Por, të përjashtohet leksiku i ynë i pasur dhe shumë i vjetër e të zëvendësohet me shprehje të reja e “moderne” të gjuhëve të tjera, është papërgjegjësi e pafalshme e gjuhëtarëve, gazetarëve dhe, sidomos, e pushtetarëve që e lejojnë këtë masakrim të shqipes në pikë të ditës.
Në vazhdim po i jap disa fjalë dhe shprehje të cilat po futen në fjalorin tonë të përditshëm e mua më duket se janë të panevojshme, sepse i kemi tonat tradicionale dhe me më shumë vlera dhe kuptime:
abstenim——————————shmangie, i përmbajtur, nuk voton
aprovim——————————-miratim
asamble——————————-mbledhje e përfaqësuesve, Kuvend
bachelor——————————-i përgjigjet shkolla e lartë
kampanjë—————————–fushatë
kurrikula——————————-plan-program i arsimit (më duket?)
kampus——————————–nuk ia dij kuptimin në shqip
kontra———————————-kundër
korsi————————————shirit, shokë
mesazh——————————–porosi
parlament—————————–Kuvend
prezantim—————————–paraqitje, shfaqje, pasqyrim, shpalosje etj.
prezent, prezencë——————-prani, i pranishëm
prioritet——————————–përparësi
promovim—————————–përurim
pro————————————- për
ok, okej——————————–po, ani, mirë, ban, në rregull.. e sa të duash sinonime të tjera në shqip.
I paraqita këta shembuj të rinj të cilët tani vonë janë në përdorim, por me të madhe, dhe druaj se do të lëshojnë rrënjë tek ne. Të gjithë jemi në dijeni se shqipja i ka të gjitha këto kuptime në fjalorin e vet, bile edhe me nga disa sinonime të cilat e bëjnë shqipen që të dallohet nga gjuhët tjera sado të mëdha dhe të rëndësishme qofshin ato. Po i marr vetëm disa shembuj me të cilët më duket se jemi duke e përbuzur shqipen e bukur të Naimit Frashërit, Konstandin Kristoforidhit, Shtjefën Gjeqovit, Eqrem Çabejt, Aleksandër Xhuvanit, Androklli Kostallarit, Selman Rizës, Isa Bajqincës, Ali Hadrit, Rexhep Qosjes, Mahir Domit e shumë e shumë lëvruesve dhe studiuesve shqiptarë dhe të huaj të cilët me mund të madh dhe përkushtim e ngritën gjuhën shqipe dhe shkencën e albanologjisë në nivelin e gjuhëve të respektuara të botës moderne.
Ndoshta dikush do të mendoj se sa më shumë fjalë dhe shprehje të merr shqipja nga gjuhët e “mëdha” të botës ajo do të pasurohet dhe ne do të bëhemi më joshës për pranim në Bashkimin Evropian. Mendoj se kjo mënyrë e të menduarit nuk na afron por, përkundrazi, na largon nga integrimet. Evropa ka nevojë edhe për kulturën tonë origjinale dhe të plotë me të gjitha veçoritë e saja, e jo për shartime dhe çoroditje. Sepse asaj i mungon gjuha dhe kultura shqiptaro-iliro-pellazge për ta bërë tërësinë evropiane.
Parlament (nga latinishtja). Si do të “ndjehej” gjuha shqipe sikur tani e tutje të thoshim: Parlamenti i Lezhës, parlamenti i Arbrit, Parlamenti i Junikut, Parlamenti i Bujanit, Parlamenti i Prizrenit etj. Dhe, për të qenë habia edhe më e madhe, nuk ka deputet në Kuvend e as ministër dhe kryeministër në Shqipëri dhe në Kosovë që të thotë kuvend, por të gjithë i thonë, pa iu trembur syri, vetëm parlament.
Prezentim ose prezantim (nga latinishtja) apo si ti teket dikujt me e kryque fjalën e huaj e cila e ka domethënien e paraqitjes, shfaqjes, pasqyrimit, shpalosjes, të diçkaje apo të ndonjë plani, por përdoret fjala e huaj me qëllim që autori të paraqitet në një nivel më të “lartë” shoqëror se sa rrethi i tij e nuk e di i gjori që fjala e panjohur mund të përdoret edhe pa vend dhe ndoshta del edhe qesharak. Në gjuhën shqipe ka shumë sinonime të cilave u gjendet vendi në çdo fjali dhe për çdo kuptim.
Kampanjë (nga frengjishtja), fjalë e cila tek ne përdoret më rrallë dhe e ka kuptimin e fushatës. Kjo fjalë përdoret vetëm në kohën e korrjeve dhe të shirjeve, por unë kam frikë se do të përdoret edhe para zgjedhjeve. Disa gazetarë, por bashkë me ta edhe disa “politikaj”, e përdorin edhe në kohën e zgjedhjeve.
Kurrikula (nuk e gjeta në fjalor të shqipes por as në fjalorin e “Fjalëve dhe shprehjeve të huaja”). Nuk ia dij kuptimin dhe as nga cila gjuhë është marrë, por e dij se është fjalë e tepërt të cilën tani me të madhe e përdorin ministrat tanë shumë të ”emancipuar” (sepse ashtu paraqiten pasi i përdorin fjalët e huaja se tonat nuk po ua plotësojnë kërkesat e tyre të “larta”)
Kampus (nëpër fjalorë nuk e gjeta prejardhjen e kësaj fjale). Por, nuk është me rëndësi prejardhja e fjalës “kampus”. Për herë të parë e lexova në hyrje të oborrit të Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Nuk munda me i dhënë shpjegim shqip kësaj fjale. Dhe i bëra pyetje vetes time se ky mbishkrim në hyrje të këtij fakulteti, a është bërë për qytetarë dhe studentë të Kosovës apo ndoshta për mysafirë të ardhur nga Mozambiku apo Tanzania. Tani më vjen keq se pse unë e kam mbarua fakultetin në vitet e tetëdhjeta dhe kam mbetë mangut nga fjalori!
Mesazh (frëngjisht), tani tek ne përdoret shumë dhe e ka kuptimin e porosisë. Fjalë shumë e mirë dhe e kuptueshme për çdo nivel. Ndoshta mu për këtë një grup njerëzish e përdorin vetëm për ta paraqitë veten nga një klasë tjetër shoqërore! Mirëpo, për fat të “mire” tonin tani edhe karrocieri e ka mësue këtë fjalor modern e të çoroditur njëkohësisht.
Bachelor (nëpër fjalorë nuk e hasa këtë fjalë)… Ndoshta është fjalë e shpikur nga ministrat tanë të gjithëdijshëm. Nga disa studentë mësova se “bachelor” e kishte kuptimin e shkollës së lartë 2-3 vjeçare. E pse e përdorin këtë fjalë, nuk munda ta kuptoj. Ndoshta për të kursye germa dhe shkronja, sepse po shihet se janë kursimtarë të mëdhenj këta “intelektualët “ e kohëve moderne.
Po lexoj nëpër gazeta ditore, por edhe po dëgjohen në televizionet tona, pjesë nga transmetimet e mbledhjeve të Qeverisë dhe të Kuvendit. Dëgjohen aty fjalë dhe shprehje të huaja të cilat nuk mund ti ndjesh mes njerëzve të zakonshëm. Çka është edhe më brengosëse nga goja e ministrave, zëvendësministrave dhe të ndonjërit nga zëvendëskryeministrat. Flitej aty për kurrikula, bachelora e për paçurka sikur të ishe në ndonjë treg shumëkombësh e jo në Qeveri të Kosovës. Është për të ardhur keq kur këtë fjalor e përdorin segmente të Qeverisë, anëtarët e të cilës, si duket, janë në garë se cili e ka fjalorin më të “pasur” sepse, ndoshta, edhe nga papastërtia e gjuhës marrin poenë më shumë dhe kualifikohen për poste edhe më të larta. Në vend se të ndodhë e kundërta.
Tani Universiteti i Prishtinë u pagëzua me emrin e Hasan Prishtinës. Emërim ky shumë i qëlluar. Sepse çka bëri Hasan Prishtina për arsimimin e masave të gjëra popullore dhe për ngritjen e kulturës tek ne, askush deri tani nuk bëri. Ai e shkriu pasurinë e vetë për ta emancipuar popullin në gjuhën vetë e jo për tjetërsim të gjuhës. A e mendoni ju ministra se po e ofendojmë dhe po e turpërojmë njëkohësisht personalitetin e Hasan Prishtinës me këto “kurrikula”, ”kampusa”, ”bachelora” e “paçurka”!? Mendoj se ka ardhur koha kur qeveritarët, profesorët e gjithë inteligjenca duhet të emancipohen njëherë e mirë që ta çmojnë dhe ta duan të veten. Shteti ka edhe mundësi t’i gjejë mekanizmat për edukim të qytetarëve. Varet vetëm nga vullneti i mirë qeveritarëve për këtë edukim. Për këtë qëllim nuk duhen kursye mjetet, qofshin ato edhe jo fort të dëshiruara. Shembull konkret mund të shërbej polici në komunikacion. Nëse për një gabim të vogël dënohet shoferi, ai atë gabim më nuk do ta përsëris.
Po e jap edhe një shembull me të cilin njeriu bindet se kur e ka dëshirën dhe qëllimin e mirë mund t’i arrijë synimet që i ka. Menjëherë pas luftës së UÇK-së udhëheqja dhe punëtorët e një miniere të qymyrit në KEK vendosën që ai njeri që përdorë në biseda mes veti ndonjë fjalë të huaj të dënohej menjëherë me nga 10 marka gjermane. Nga një shok i imi dëgjova se, gjatë luftës së UÇK-së, kjo masë ndëshkuese ishte përdorë edhe ndër ushtarë, për ata që flasin fjalë të huaja, e sidomos sllave. Ndodhën nja 5-6 dënime, por u hoqën fjalët e huaja nga fjalori i krejt kolektivit.
Kam ndëgjue se diku në fillet e marrjes me përkthime, Vedat Kokona hasë në vështirësi në përkthim të një teksti apo libri nga frëngjishtja në shqip. Bile gati kishte hjekë dorë nga përkthimet në gjuhën shqipe, duke menduar në fillim se shqipja ka fjalor të mangët për t’u përkthye nga gjuhët e “mëdha”. Këtë bindje e kishte, sepse ai nuk kishte, në fillim, njohuri të mjaftueshme nga gjuha shqipe. Kur e mësoi dhe e studioi mirë gjuhën shqipe, u bind se shqipja mundet me lehtësi t’i përballojë të gjitha gjuhët, sepse kishte leksik shumë të pasur dhe kishte aq shumë sinonime të një fjale sa edhe vetë mbeti i mahnitur.
Tani, pas këtyre dukurive që i shtrova, ndjehem edhe vetë i brengosur për fatin e gjuhës shqipe, sikurse ai shoku që kishte lexue në internet nga shkencëtarët hungarezë. Lehtë dhe pahetueshëm mund të vjen një ditë dhe një moment kur fjalori i gjuhës shqipe do të ngulfatet me fjalë dhe shprehje të huaja. Dhe, vetë gjuhëtarët do të kenë telashe me e përcaktu se a e ka gjuha shqipe bazën nga iliro-pellazgjishtja apo është ndonjë kombinim artificial i gjuhëve të mëdha të Evropës!? Atëherë do të na mallkojë Konstandin Kristoforidhi për mundin që e bëri për gjeneratat tona, duke vjelë sa mundi nektarin e gjuhës edhe nëpër pazare të Korçës dhe qyteteve e fshatrave të Shqipërisë duke ua thye krojshet (shportat) me vezë plakave, vetëm e vetëm për ta ruajt dhe pasuruar gjuhën e pastër shqipe. Ai pagoi edhe lekë për vjeljen e fjalëve të rralla shqipe, kurse ne marrim euro për ta çoroditur atë që e bëri Kristoforidhi me shokë.
Kam frikë se pas disa dhjetëvjeçarësh gjuha shqipe do të kalojë në taborin e gjuhëve të vdekura e do të flitet për të sikur për latinishten, greqishten e vjetër, persishten e disa të tjera. E, nëse gjuha është elementi kryesor që e karakterizon kombin, atëherë në cilën lagje të etnive do të mbesin ne?!
Këto mjegulla që po na sillen neve në kohën kur kemi një armatë të tërë të shkolluar dhe të arsimuar, por aspak të emancipuar, nuk janë aq ndjellamira. Me shkolla dhe institucione shkencore e arsimore jemi disa qindra herë para rilindasëve tanë, por me emancipim, si po duket, jemi me mijëra herë mbrapa tyre. Një shok i imi (tani i ndjeri), thoshte se shkencën nuk e çojnë përpara titujt akademikë, por vetëm puna. Derisa rilindasit tanë e kanë paguar me jetën e tyre çdo ecje përpara, ne me euro e dollarë po e blejmë zhdukjen e gjuhës dhe të etnikumit tonë.
Një fije shpresëdhënëse lindi kur Qeveria e re në Shqipëri tha se do të angazhojë disa dhjetëra lektorë dhe specialistë të gjuhës në institucionet e shtetit, në mënyrë që shkrimet zyrtare që dalin nga këto institucione të jenë të nivelit. Uroj që kjo nismë të jetësohet dhe të shpërndahet edhe në Kosovë. Nga kjo situatë mund të dilet vetëm nëse angazhohen të dyja qeveritë dhe i detyrojnë edhe institucionet arsimore dhe shkencore të sillen në përputhje të plotë me interesin e kombit dhe të gjuhës.
Ky shkrim i imi modest dëshiroj të jetë një nxitje, xiglimë, gudulisje, cytje ose një shtytje për një debat të mirëfilltë në tërë hapësirën shqiptare nga profesionistët e sektorëve të ndryshëm të gjuhësisë, e gjithnjë në dobi të parandalimit të çoroditjes së gjuhës shqipe.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Hakohen televizionet qeveritare në SHBA, në ekrane shfaqet video me Al ku shihet Trump duke ia puthur këmbët Musk

Kryeministri britanik sulmon Putinin: Tiranët kuptojnë vetëm me forcë - ndërsa njofton rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Lushtaku paralajmëroi fundin politik të Limajt, reagojnë nga Nisma: Për këtë vendosim ne

NATO vë aeroplanët ushtarakë në Poloni në gjendje gatishmërie pas sulmeve të reja ruse në Ukrainë

Në platformën e-Kosova lansohet shërbimi i ri, qytetarët e rajonit të Prishtinës mund të paguajnë faturat për mbeturina

Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania